Detaje të reja zbardhin dinamikën e plagosjes së trefishtë me armë zjarri në Elbasan, ku objektiv i sulmit dyshohet se kanë qenë dy persona, ndërsa plumbat kanë prekur edhe një 19-vjeçar që punonte si kamarier në lokalin ku ndodhi ngjarja.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës në lagjen “Vullnetari” (Banesat), ku mbetën të plagosur Armando Tomorrica, Renaldo Mance dhe Biorgi Hoxha.
Sipas hetimeve paraprake, autori i dyshuar kishte një konflikt të mëparshëm me Tomorricën dhe Mancen, çka po hetohet si pista kryesore për motivin e sulmit. Në momentin e ngjarjes, dy personat ndodheshin në një tavolinë në verandën e lokalit, së bashku me kamarierin 19-vjeçar.Nga rindërtimi paraprak i ngjarjes rezulton se autori është afruar pranë tavolinës dhe fillimisht ka pasur një përplasje verbale me personat që ndodheshin aty. Pak çaste më pas, ai ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të tyre.
Si pasojë e të shtënave, Tomorrica dhe Mance dyshohet se kanë qenë objektivi kryesor, ndërsa Biorgi Hoxha është plagosur aksidentalisht gjatë sulmit.
Në vendngjarje, ekspertët e Policisë Shkencore kanë gjetur dhe sekuestruar 6 gëzhoja, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës balistike për të ndihmuar në identifikimin e armës së përdorur dhe sqarimin e plotë të rrethanave.Tre të plagosurit morën ndihmën mjekësore në Spitalin Rajonal të Elbasanit dhe më pas lanë spitalin pasi gjendja e tyre u vlerësua jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, autori i dyshuar vijon të jetë në kërkim. Policia e Elbasanit po kryen kontrolle në zonë dhe po punon për lokalizimin dhe arrestimin e tij, ndërsa grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon mbledhjen e provave për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
© SYRI.net