Një sasi tritoli ka shpërthyer në portën e shtëpisë së Altin Ballës, vëllait të Julian Ballës, në zonën e Shijakut. Nga shpërthimi nuk ka pasur persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar dëme materiale në oborrin e banesës.
Sipas raportimeve të korrespondentes së SYRI TV, Albana Aliaj, shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe është dëgjuar në një pjesë të madhe të zonës së Shijakut. Lënda shpërthyese është vendosur në portën e oborrit të banesës, e cila ndodhet pranë shtëpisë së familjes së Julian Ballës.
Hetuesit dyshojnë se ngjarja mund të ketë qenë një mesazh i koduar, ndërsa ende nuk është përcaktuar nëse shënjestër ka qenë Altin Balla apo vetë Julian Balla, i cili prej një viti është në kërkim nga SPAK pas një mase sigurie “arrest me burg” në kuadër të operacionit kundër organizatave kriminale të Çopjave dhe Çelajve në Elbasan.
Sipas Aliajt, janë sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë, ndërsa nga pamjet paraprake dyshohet se autori ka mbërritur me motor dhe ka vendosur lëndën shpërthyese në portën e banesës.
Sipas korrespondentes së SYRI TV, policia ka kryer kontrolle në disa zona të Shijakut dhe në lagjet përreth Durrësit, ndërsa dy persona janë në fokus të hetimit për vendosjen e tritolit.
© SYRI.net