Pastrim parash nga trafiku ndërkombëtar i drogës, 27 dënime në Itali; në dosje edhe shqiptarë

Pastrim parash nga trafiku ndërkombëtar i drogës, 27 dënime në Itali; në dosje edhe shqiptarë

11:04, 09/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alba Kepi

Trento, 27 dënime për pastrim ndërkombëtar parash nga trafiku i drogës. Mes të hetuarve edhe shqiptarë

Është mbyllur me 27 dënime kapitulli i parë gjyqësor i megahetimit për pastrimin ndërkombëtar të parave të përfituara nga trafiku i drogës, i koordinuar nga Prokuroria e Trentos dhe i zhvilluar nga Guardia di Finanza.

Në seancën pranë Gjykatës së Trentos, përmes procedurës së gjykimit të shkurtuar dhe marrëveshjeve për pranimin e dënimit, u përfunduan një sërë procesesh ndaj të pandehurve të përfshirë në organizatën kriminale  të goditur në vitin 2023.

Bilanci i vendimeve është 27 dënime dhe 10 pafajësi, ndërsa dënimet e dhëna arrijnë në 86 vjet, 11 muaj e 10 ditë burg, për veprat penale të organizatës kriminale dhe pastrimit të parave me origjinë nga trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike.

Gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e pasurive me një vlerë prej mbi 27,3 milionë euro, që sipas akuzës përfaqësojnë fitimet e realizuara nga aktivitetet e pastrimit dhe vetëpastrimit të parave.

Hetimi kishte nisur në vitin 2019 dhe u ekzekutua në maj të vitit 2023 me një operacion të gjerë të Guardia di Finanza të Trentos, të mbështetur nga S.C.I.C.O., njësi të ndryshme territoriale, policia gjyqësore e Prokurorisë dhe Europol. Gjatë operacionit u ekzekutuan 42 masa arresti, pesë prej tyre jashtë Italisë, në Kolumbi dhe Spanjë, si dhe u sekuestruan pasuri me vlerë mbi 18,5 milionë euro.

Në total u hetuan 47 persona, prej të cilëve 26 shtetas të huaj, mes tyre shqiptarë, kolumbianë, marokenë dhe sirianë. Sipas Prokurorisë, ata dyshoheshin se ishin pjesë e një organizate kriminale transnacionale të specializuar në pastrimin e parave të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i drogës në favor të karteleve të Amerikës së Jugut.

Shqiptarët rezultojnë të kenë qenë pjesë e grupit të personave të hetuar, së bashku me shtetas të kombësive të tjera. Megjithatë, dokumenti zyrtar i Prokurorisë nuk specifikon numrin e shqiptarëve të dënuar apo identitetin e tyre në këtë fazë të procesit.

Sipas hetimeve, organizata operonte në disa vende evropiane dhe jashtë Evropës, duke përdorur kompani, ndërmjetës financiarë, llogari bankare jashtë shtetit dhe skema të sofistikuara për të fshehur origjinën e paligjshme të parave dhe për t’i riinvestuar ato në ekonominë legale.

Operacioni u realizua falë bashkëpunimit gjyqësor dhe policor me autoritetet e 27 shteteve, me mbështetjen e Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm, Eurojust, Europol dhe Homeland Security Investigations të Shteteve të Bashkuara.

Sipas Prokurorisë së Trentos, konfiskimet përfaqësojnë një nga rezultatet më të rëndësishme të hetimit, pasi godasin drejtpërdrejt pasuritë e organizatës kriminale dhe pengojnë përdorimin e fitimeve të krijuara nga trafiku ndërkombëtar i drogës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco