Syri siguron pamje nga stani në fshatin Lozhan i Maliqit ku fshihej ish ushtaraku Violand Braçellari i dënuar për drogë, i cili mëngjesin e sotëm vrau efektivin e policisë së Korçës, Enea Mekolli 34 vjeç, e plagosi Edison Adrin, 36 vjeç.
Stani ku jetonte Braçellari ishte në një terren të vështirë, duhej të ecësh 40 minuta në këmbë.
Dyshohet se autori qëndronte gjithmonë i armatosur.
Ai kishte siguruar vendin me shumë qen, që asnjë njeri të mos afrohej pranë stanit dhe kur policia shkonte për ta arrestuar edhe më parë ikte e fshihej në pyll.
Policia ka rrethuar zonën dhe po kryen veprimet hetimore.
Ndërkohë mjekët kanë bërë me dije se autori është në gjendje stabël, ka marrë një plumb në bark dhe dy në dorë. Bluzat e bardha thonë që është jashtë rrezikut, informon gazetarja Sidorela Xhomaqi.
Operacioni
Policia njofton se rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar vendin (stanin) ku dyshohej se fshihej personi në kërkim, konkretisht shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011 ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor Enea Mekolli, 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor Edison Adri, 36 vjeç (të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë).
Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar.
© SYRI.net