Pamjet me dron që shihni tregojnë vendin ku jetonte Violand Braçellari. Stani ku strehohej Violand Braçellari, i shumëkërkuari i cili vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër gjatë operacionit policor për kapjen e tij ndodhej në një zonë malore të Lozhanit në Maliq.
Ai ishte në kërkim pasi rezulton i dënuar me mbi 9 vite burg për drogë.
Pas marrjes së informacionit që i shumëkërkuari Braçellari fshihej në një stan në malin e Bodes të fshatit Lozhan, ka organizuar operacionin për kapjen e tij. Por me të mbërritur në stan duket se i shumëkërkuari ka hapur zjarr të menjëhershëm ndaj forcave të policisë, duke vrarë njërin prej tyre dhe duke plagosur një tjetër.
Sulmit, forcat e policisë i janë përgjigjur duke hapur zjarr që ka bërë të mundur plagosjen dhe neutralizimin e agresorit dhe arrestimin e tij për ta shoqëruar më pas në spitalin e Korçës.
Mësohet se autori i kësaj ngjarjeje, ka qenë ish-ushtarak me një përdorim të mirë të armëve dhe i përgatitur fizikisht për t’u fshehur dhe jetuar në zona të vetmuara.
Pasi mori mjekimin e parë në spitalin e Korçës, Braçellari po sillet në Tiranë me ambulancë për mjekim të specializuar.
© SYRI.net