Tërhoqën zvarrë protestuesin në Zvërnec/ Gjykata e Vlorës lë në burg efektivin e policisë private

Tërhoqën zvarrë protestuesin në Zvërnec/ Gjykata e Vlorës lë në burg efektivin e policisë private

15:48, 01/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Është zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj shtetasit Geraldo Biba, efektiv i policisë private, i ndaluar nga policia pas ngjarjes së ndodhur në Zvërnec më 30 maj.

Seanca u drejtua nga gjyqtari Etien Isak, ndërsa prokurore e çështjes ishte Julinda Gjika.

Pasi u dëgjuan palët dhe prokuroria kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, gjykata vendosi të lërë në fuqi kërkesën e prokurorisë, duke caktuar ndaj të ndaluarit masën “arrest në burg”.

Edhe Prokuroria e Vlorës kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Geraldo Bibën, si dhe 3 persona të tjerë të shoqërisë private "Major Security" që rrëmbyen qytetarin me inicialet G.S.

Ata akuzohen  për "heqje të paligjshme të lirisë" kryer në bashkëpunim.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se të 4 personat Geraldo Biba, Gazmend Vathi, Artur Grami dhe një person tjetër, akuzohen për dhunimin e një protestuesi gjatë protestës së zhvilluar pak ditë më parë në zonën e Zvërnecit.

Ish-mister Shqipëria për vitin 2012, Geraldo Biba, u arrestua nga policia e Vlorës për akuzën e “Plagosjes së lehtë me dashje” dhe “Heqje të paligjshme të lirisë”, pasi ishte protagonisti kryesor i dhunës së ushtruar ndaj qytetarit. 

Ngjarja ndodhi gjatë protestës së organizuar nga banorë dhe aktivistë kundër projektit që po zhvillohet në zonën e Zvërnecit, ku pati tensione mes protestuesve dhe personave të angazhuar për sigurinë e projektit.

Gerald Biba rezulton të jetë pronari në hije i “Major Security”, ndërsa kompania është e regjistruar në pronësi të vjehrrës së tij, Shpresa Myzyri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco