Prokuroria e Korçës ka nisur hetim lidhur me ngjarjen e ndodhur sot në mëngjes në Maliq, ku një polic u vra dhe një tjetër u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit me një ish ushtarak profesionist i shpallur në kërkim për drogë.
Një grup prej 6 efektivësh të skuadrës së Shqiponjave në Korçë kishin shkuar për ta arrestuar ish ushtarakun, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe që i kishte shpëtuar 4 herë arrestimit nga RENEA.
Në momentin kur efektivët kanë shkuar atje ka pasur shkëmbim zjarri. Violand Braçellari ka qëlluar me automatik duke vrarë policin 34 vjeçar Enea Mekolli, dhe plagosur policin tjetër Edison Adri 36 vjeçar (foto).
Hetimet do të kryen dhe për përgjegjësitë ligjore për menaxhimin e situatës.
Polici i cili humbi jetën, Enea Mekolli ishte babai i një fëmije. Ndërsa polici i plagosur Edison Adri është sjellë me helikopter në Tiranë për mjekim të specializuar. Drejt Traumës po sillet dhe autori I cili ka një plumb në bark dhe 2 në dorë.
Një mjeke e spitalit të Traumës tha se gjëndja shëndetësore e Edison Adrit është stabile dhe se aktualisht është i intubuar. 36 vjeçari ka dëmtime në qafë dhe në gojë.
Prononcimi për gazetarët para spitalit të Traumës.
"Pacienti është pritur në spitalin e Korçës, është stabilizuar aty, është aktualisht i intubuar. Siç e patë erdhi me helikopter, është bërë punë shumë e mirë nga kolegët e Korçës. Ndërkohë që tani u fut menjëherë brenda ambienteve të bllokut operator dhe po vlerësohet nga ekipi multidisiplinor me reanimator, kirurg oro-maksilo-facial, otorino, dhe kirurg i përgjithshëm. Do të dimë t'ju themi më shumë për ecurinë në vijim, për momentin mund të themi vetëm që po bëhet maksimumi për të marrë rezultatin maksimal për shëndetin e pacientit.
Ka lëndime në pjesën e qafës dhe të kokës" tha mjekja.
A janë jetëkërcënuese dëmtimet?
"Gjithmonë një traumë e këtyre përmasave është jetëkërcënuese. Se si do jetë ecuria do të duhet të na thotë ekipi mjekësor që po bën vlerësimin. Është herët akoma për të thënë" tha mjekja.
Po autori?
Skënder Brataj (shefi i Urgjences) Është nisur me ambulancë drejt Spitalit të Traumës edhe personi tjetër, edhe siç ju tha doktoresha dëmtimet janë të gjitha jetëkërcënuese, por gjatë ndërhyrjes që i është bërë në Korçë, d.m.th. një falënderim për ekipin e Korçës, dhe gjatë transportit pacienti ka qenë stabël, me parametrat normale. Në këtë moment nuk flitet për rrezik jete, por që është në dinamikë vlerësimi...
E keni fjalën për efektivin e policisë në këtë rast?
Skënder Brataj: Po, për efektivin e policisë që erdhi me helikopter i shoqëruar dhe nga reanimatori dhe nga ekipi i QKUM-së. Të gjithë parametrat janë në normë, nuk ka hemorragji në kokë, sot dhe është stabël në këtë moment, sapo u fut në sallë ku ekipi multidisiplinor po bën vlerësimin qoftë të indeve të gojës dhe të qafës, në të cilat është dëmtuar punonjësi i policisë. Autori është vlerësuar në spitalin e Korçës nga ekipi kirurgjikal, është stabilizuar dhe është nisur me ambulancë duke ardhur në spital.

© SYRI.net