SYRI TV/ Të shtëna me armë në Mamurras, policia plagos 23 vjeçarin Leonard Dema

21:56, 19/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Operacioni për kapjen e Leonard Demës në aksin Mamurras-Laç u shoqërua me të shtëna. Policia qëlloi në drejtim të makinës së Demës, pasi Amadeo Fufi, djali i ish-deputit Mhill Fufi, i cili shoqëronte 23-vjeçarin, nxori armën dhe kërcënoi efektivët. Leonard Dema u plagos në bark dhe në këmbë dhe u transportua drejt Spitalit të Traumës, ndërsa djali i ish-deputit socialist u arrestua në flagrancë.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e të martës në Mamurras, ku forcat operacionale të policisë ishin vënë në kërkim të Leonard Demës, 23 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia pasi ishte dënuar me 7 vite burg për tentativë vrasjeje. Policia konfirmoi vendodhjen e tij dhe, duke e konstatuar duke lëvizur me automjetin ku ndodhej edhe Amadeo Fufi, kërkoi të ndalonte mjetin.

Automjeti u drejtua nga efektivët e policisë në përpjekje për të bllokuar Demën, por Amadeo Fufi nxori armën dhe kërcënoi efektivët. Policia qëlloi në drejtim të automjetit për vetëmbrojtje, duke plagosur 23-vjeçarin në bark dhe në këmbë. Fillimisht, i riu u dërgua në Spitalin e Kurbinit, dhe më pas u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndërhyrje më të specializuar mjekësore. Raportohet se ai ka marrë të paktën dy plumba: një në bark dhe një në këmbë.

Burime pranë Spitalit të Traumës raportojnë se i riu ndodhet në gjendje të stabilizuar dhe po mbahet nën monitorim intensiv. Ngjarja ndodhi në aksin rrugor Mamurras-Laç, ku policia neutralizoi të rinjtë, transportoi të plagosurin në spital dhe arrestoi në flagrancë ish-djalin e deputetit të Partisë Socialiste.

Gjithashtu, është sekuestruar arma e zjarrit një pistoletë dhe hetimet vijojnë në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorinë, për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të verifikuar nëse veprimet e policisë kanë qenë në përputhje me ligjin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco