Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur në mesnatë, në Shkozë, ku mbeti i plagosur efektivi i policisë, Anxhelo Kumaraku. Policia ka identifikuar dhe shpallur në 2 vëllezër, të cilët dyshohet se tentuan të vrisnin me armë zjarri 31-vjeçarin, Kledi Spahi, i cili ishte nën shoqërinë e policit dhe një tjetër shtetasi, shumë pranë banesës së tij. Policia ka arrestuar shënjestrën e sulmit, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërkohë që efektivi i policisë, i plagosur në këtë ngjarje, është pezulluar nga detyra
Syri TV
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës në zonën e Shkozës në Tiranë, ku nje punonjës policie eshte plagosur në këmbë me arme zjarri. 30 vjecari Anxhelo Kumaraku, efektiv ne Komisariatit nr.4. ka mbetur i plagosur pranë banesës së tij, jashtë orarit të shërbimit, ndërsa ka qenë nën shoqërinë e Kledi Spahit, një person me masë sigurie “arrest shtëpie” dhe shtetasit Leonard Doko.
Në lidhje me ngjarjen, policia ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim 2 vëllezërit, Ali dhe Aldo Lika si autor të ngjarjes. Nga veprimet e para hetimore, rezulton se vëllezërit Lika dyshohet se tentuan të vrisnin me armë zjarri 31-vjeçarin Kledi Spahi, duke plagosur aksidentalisht efektivin e policisë.
Mësohet se autorët dhe objektivi i këtij sulmi, shtetasi Kledi Spahi të kenë pasur një konflikt të mëparshëm për cështje borxhi. Burime informacioni bëjnë me dije se pak kohë më parë, Spahi i ka dhunuar dy vëllezërit dhe në shenjë hakmarrje ata dyshohet se kanë tentuar ta qëllojnë me armë.
Menjëherë pas ngjarjes, policia ka arrestuar 31-vjecarin Kledi Spahi, pasi nga verifikimet rezultoi se ky shtetas kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
Ndërkohë sa i përket efektivit të policisë, mënjëherë pas ngjarjes, ai u dërgua në spital për ndihmë mjekësore, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të veprimeve për rastin, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë Anxhelo Kumaraku ndërsa ndaj tij ka nisur një hetim për shkelje të rëndë disiplinore të parashikuar nga ligji “Për Policinë e Shtetit”, pasi ky punonjës policie është konstatuar duke u shoqëruar me një person që kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar me vendim gjykate për armëmbajtje pa leje, si dhe nuk ka njoftuar shërbimet policore dhe eprorët për rastin në fjalë.
Burime bëjnë me dije se gjatë deklarimeve, efektivi i policisë mësohet se ka pohuar se nuk kishte dijeni se fqinji i tij kishte thyer masën e sigurisë dhe ndodheshin në një rrugicë pranë shtëpisë, pasi me të njihej që në fëmijëri.
Sa i përket vendit të ngjarjes, grupi hetimor ka sekuestruar 7 gëzhoja, dhe një automjet BMW e vitit 2023, prova materiale që pritet të ndihmojë hetuesit në përcaktimin e armëve të përdorura dhe rindërtimin e dinamikës së plotë të të shtënave.
© SYRI.net