Taulant Balla është paraqitur sot në gjykatë për të dëshmuar në procesin gjyqësor të dosjes “Partizani”. Pas shmangies së pyetjeve të gazetarëve jashtë gjykatës me propagandë politike, Taulant Balla tentoi disa herë ndryshimin e dëshmisë, teksa pyetej nga Jamarbër Malltezi se si kishte siguruar dokumente personale që mbrohen me ligj dhe për një sërë çështjesh të tjera. Në disa raste, Balla i shmangej pyetjeve duke u shprehur se “nuk e mbante mend” apo “nuk e dinte”. Në ndihmë të Ballës për të mos iu përgjigjur disa pyetjeve, ku përfshihej edhe roli i Edi Ramës, i erdhën edhe prokurorët Enkelejda Millonaj dhe Arben Kraja. Pas përfundimit të seancës, Malltezi hodhi poshtë të gjitha pretendimet e Ballës dhe renditi 11 deklaratat e rreme që kreu i grupit parlamentar socialist ka bërë në dëshminë e tij para gjykatës.
SYRI TV
'Nuk e mbaj mend dhe burime mediatike', ishin 2 togfjalëshit që kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, përdori më së shumti gjatë dëshmisë së tij përpara Gjykatës së Posaçme për dosjen 'Partizani', kallëzues i së cilës është pikërisht ai. Në një pikë të dëshmisë së tij 4 orëshe, drejtuesja e seancës Elsa Ulliri i bëri të qartë Ballës se ishte thirrur për të dëshmuar fakte penale dhe jo mendime. Kontradiktat e Ballës u vërejtën tek qëndrimi i tij mbi mënyrën se si mblodhi faktet, pozicionin e Edi Ramës si nënshkrues i ndryshimit të destinacionit, madje nuk ishte në gjendje t'i jepte përgjigje pyetjes se si të dhënat personale të të akuzuarve dhe qytetarëve të tjerë kishin përfunduar tek një studio ligjore e ish-deputetit socialist, Alket Hyseni.
Në pyetjen nëse i ka dorëzuar të gjitha provat, dhe në çfarë mënyre, Balla iu shmang përgjigjeve ku në një rast tha dorazi e pastaj me postë. Deputeti pretendoi në fillim se ka vepruar si qytetar por gjatë dëshmisë pranoi se janë përdorur vulat e institucionit të kuvendit.
Malltezi ka pyetur Ballën nëse ka qenë në dijeni që Majko dhe Klosi janë shprehur për privatizimin e klubit në 2006 dhe Balla ka dëshmuar se nuk ka qenë në dijeni. Por ajo që shihet gjatë seancës gjyqësore është gatishmëria e prokurorëve për të dalë në mbrojte te Taulant Ballës.
Është prokurorja Enkeleda Millonai e cila gjatë dëshmisë së deputetit socialist ndërhyn disa herë duke i kërkuar gjykatës të kundërshtojë pyetjet ndaj Ballës duke u justifikuar se dëshmitari i ka dhënë përgjigjet apo që po sugjestionohet. Më pas edhe prokurori Arben Kraja në të njëjtën linjë me kolegen e tij duke u shprehur se i pandehuri ka të drejtën e pyetjes por shton se po përsërit pyetjet.
Taulant Balla u pyet edhe para se të futej në seancë nga gazetarët, si dhe nëse ishte gati t'i përgjigjej drejtësisë nëse e akuzon për kallëzim të rremë.
Gjatë seancës, i gjendur përballë pyetjeve të Jamarbër Malltezit dhe avokatit Gjokutaj, Balla, duke mos pasur mundësi të japë prova, ia ka “ngecur” kallëzimin e rremë botuesit të shqiptarja.com Carlo Bollino-s.
Ai ka pretenduar se kallëzimin e ka bërë duke lexuar artikujt e kësaj media. E teksa po i përgjigje pyetjeve te avokatit Klodian Skënderaj, deputeti socialist ka tentuar ti intimidojë me fjalë avokatët.
Ndërkohë Balla i është shmangur edhe pyetjes së avokatit Sokol Mëngjesi për veprimet që kanë bërë Berisha dhe Malltezi duke u justifikuar se të dhënat i ka në kallëzimin që ka bërë dhe disa herë gjatë dëshmisë i ka ikur edhe memoria duke u shprehur se nuk mbante mend shumë gjera.
Jamarbër Malltezi e pyeti Ballën se meqë pretendoi se ka marrë dijeni nga mediat, a ishte vënë në dijeni që Carlo Bollino dhe Olsi Rama që sot është drejtor i klubit Partizani kanë përfituar nga Edi Rama, por Ballën e ndihmoi gjykata ku nuk e lejoi që të përgjigjej
Pas përfundimit të seancës, Jamarbër Malltezi, hodhi poshtë të gjitha pretendimet e Ballës dhe renditi 11 deklaratat e rreme që kreu I grupit parlamentar socialist ka bërë në dëshminë e tij para gjykatës.
Nga ana e tij, avokati Genc Gjokutaj deklaroi se seanca e sotme provoi se në këtë proces mungon tërësisht fakti penal.
Nga ana tjetër Taulant Balla, pas përfundimit të seancës nuk ishte në gjendje ti përgjigjej pyetjes nëse Kryeministri Rama do të paraqitej para gjykatës për të dhënë dëshminë e tij.
© SYRI.net