Rreth 24 ton misër i importuar nga Greqia është bllokuar në pikën kufitare të Qafë Botës në Sarandë, pas kontrolleve të kryera nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU).
Sipas njoftimit zyrtar, AKU ka ndaluar pesë ngarkesa misri blegtoral të destinuar për ushqim kafshësh, pasi analizat kanë treguar praninë e një niveli të lartë të aflatoksinës B1, një substancë e rrezikshme për shëndetin e kafshëve dhe, në mënyrë indirekte, edhe për konsumatorët.
Menjëherë pas konstatimit, AKU ka ndërmarrë masat përkatëse duke bllokuar të gjithë sasinë e dyshuar dhe duke nisur procedurat për asgjësimin e saj. Gjithashtu, institucioni ka njoftuar rrjetet ndërkombëtare të sigurisë ushqimore, përkatësisht INFOSAN dhe RASFF, me qëllim koordinimin dhe komunikimin me autoritetet përkatëse greke.
Ndërkohë, bëhet e ditur se është bllokuar edhe subjekti importues, i cili nuk do të lejohet të vijojë aktivitetin për këtë ngarkesë deri në përfundimin e plotë të procesit të verifikimit dhe asgjësimit të misrit të kontaminuar.
Ky rast rikthen në vëmendje rëndësinë e kontrolleve të rrepta në pikat kufitare për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
© SYRI.net