Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, liron 5 ish-zyrtarët e Bashkisë Tiranë pjesë e dosjes '5D' të shpallur fajtor nga GJKKO për “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Për Ish-drejtoreshën e përgjithshme e institucionit Tirana Parking, Eglantina Zere dhe katër ish zyrtarët e tjerë të Bashkisë Tiranë, Rivjola Baxha, Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Kristo Zhulati Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi vendimin nr. 41, datë 17.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me disa ndryshime.
Kështu urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurit dhe vënia në provë për një afat prej dymbëdhjetë muaj, duke u detyruar të pandehurit të mbajnë kontakte me Degën Territoriale të Shërbimit të Provës Tiranë, në juridiksionin e të cilës ka vendbanimin, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penal.
Po kështu Apeli i GJKKO ka rrëzuar vendimin e GJKKO që i hiqte të drejtën ish zyrtarëve për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Miliana Muça (kryesuese), Saida Dollani (anëtare) dhe Tereza Merkaj (anëtare), sot më 29.01.2026.
Ish zyrtarët e bashkisë u shpallën fajtor se favorizuan në mënyrë të paligjshme një kompani të zotëruar “de facto” nga ish-kreu i Ujësjellësit, Redi Molla dhe ai i IMT-së, Mariglen Qato, duke e ushqyer atë me tendëra publikë.
Sipas SPAK, gjatë hetimeve paraprake është provuar fakti se e pandehura Eglantina Zere, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking” institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim me të pandehurit Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Rivjola Baxha, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe anëtarin e Njësisë së Prokurimit, Kristo Zhulati, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomik fitues “V.A.S Konstruksion sh.p.k” dhe “Rroku Guest” sh.p.k, në procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion i sheshit të parkimit te Selman Stermasi”, të zhvilluar më 1 tetor të vitit 2019.
Prokuroria vërejti në gjykatë se provat e mbledhura gjatë hetimeve provojnë plotësisht faktin se verifikimin dhe vlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomikë që kanë marrë pjesë në këtë procedurë prokurimi nuk e kanë bërë anëtarët e KVO-së, por e kanë bërë persona të tjerë që kanë punuar në shoqërinë “5D Konstruksion” sh.p.k.
© SYRI.net