Drejtësia vazhdon të përdoret politikisht për të sulmuar opozitën. Në procesin gjyqësor që po zhvillohet në GJKKO, ku akuzohet Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, për “shpërdorim detyre”, organi i akuzës përdori edhe njëherë dokumente të falsifikuara, të cilat u rrëzuan sërish nga gjykata.
Në procesin ndaj kreut të PR u paraqit edhe njëherë një shkresë që organet e drejtësisë vetë e konsideruan të pavërtetë dhe të falsifikuar, me qëllim të goditjes së liderit të opozitës, Sali Berisha, përmes përmendjes së djalit të tij, Shkëlzen Berisha.
Kjo fotokopje, e pa lidhur me procesin, u kundërshtua nga avokatët e z. Mediu, dhe kërkesa e tyre u pranua nga gjykata. Trupa gjykuese e cilësoi fotokopjen e SPAK si të pavlerë dhe sqaroi se, sipas Kodit të Procedurës Penale, një kopje e tillë nuk ka vlerë prove dhe nuk ka nevojë të ekspertizohet më tej, pasi konsiderohet e pavërtetë.
Gjykata konfirmoi edhe njëherë se dokumenti në fjalë nuk ekziston realisht dhe dyshohet si i manipuluar. Megjithatë, disa media pranë qeverisë filluan të qarkullonin lajmin, edhe para përfundimit të seancës, duke e shfrytëzuar për sulme ndaj opozitës dhe liderëve të saj.
Ky dokument është i manipuluar, ashtu siç ishte i manipuluar edhe deklarimi i sekretares që pretendonte se shënimi ishte bërë nga z. Aldo Bumci, ministër në atë kohë. Ish-sekretarja, edhe pse u thirr në gjyq, nuk u paraqit, dhe as prokuroria e as gjykata nuk e urdhëruan thirrjen e saj me forcë, siç kërkon ligji.
Bumci, para 15 vitesh, kishte denoncuar se shkresa ishte e manipuluar dhe deklarimet e sekretares ishin të pavërteta. Ai kërkoi ekspertizën e shkrimit, e cila nuk u krye kurrë. Megjithatë, SPAK vazhdoi ta paraqesë këtë dokument në procese për qëllime politike, pa arritur të provojë vërtetësinë e tij.
Pra, edhe njëherë, gjykata konstatoi se ky dokument nuk është provë dhe, si i tillë, nuk mund të jetë pjesë e shqyrtimit gjyqësor. Ai nuk ka dalë nga asnjë autoritet ligjor i Ministrisë së Drejtësisë.
Sipas avokatëve të z. Mediu, ky ishte një vendim pozitiv, që provoi se dokumenti ishte i paligjshëm.
© SYRI.net