'Na morën pronat për zyra shteti'/ Banorët e Durrësit në protestë: Po na shkelin të drejtat!

11:18, 26/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një grup pronarësh të njësive tregtare në një pallat të rindërtuar pas tërmetit të vitit 2019, denoncojnë se po përballen me një padrejtësi nga Bashkia e Durrësit. Sipas tyre, institucioni që u premtoi kthimin e pronave, tani po tenton t'i kthejë ato në zyra për administratën e vet, duke i lënë ata pa bizneset dhe pronat e tyre legjitime.

Një prej pronarëve të prekur, Florian Malasi, shpjegon se objekti i tij, një furrë buke, u dëmtua nga tërmeti dhe më pas u prish bashkë me të gjithë pallatin.

“Na u premtua që do të merrnim po të njëjtat prona në objektin e ri. Ne zotërojmë certifikata të rregullta pronësie që nga viti 2009”, deklaron ai, duke theksuar se premtimi për kthimin e pronësisë ishte i qartë.

Megjithatë, situata ka marrë një tjetër rrjedhë. Pronarët kanë vënë re lëvizje nga ana e komunës, e cila synon t'i shndërrojë ambientet e tyre private në zyra publike.

“Kemi folur me anëtarë të komunës dhe na kanë thënë që duan t'i marrin pronat tona për t'i bërë zyra shteti, pasi aktualisht paguajnë qira në një objekt tjetër privat,” thotë banori.

Përballë këtij fakti, pronarët kanë tentuar të marrin informacion zyrtar. Që nga fillimi i vitit 2024, ata kanë dërguar rreth 10 deri në 13 kërkesa zyrtare pranë bashkisë, por deri më sot nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Kjo heshtje institucionale ka shtuar pasigurinë dhe shqetësimin e tyre për fatin e pronave. Të vendosur për të mbrojtur të drejtat e tyre, pronarët shprehen se do t'i drejtohen rrugës ligjore.

"Do të përpiqemi me rrugë ligjore, normalisht, sepse i kemi pronat me certifikata të rregullta," theksojnë banorët.

Ata shtojnë se të gjitha njësitë ishin biznese aktive dhe taksapaguese para se të dëmtoheshin nga fatkeqësia natyrore, çka e bën situatën edhe më të rëndë për familjet e tyre. Fati i tyre mbetet pezull, në pritje të një zgjidhjeje ose një beteje të gjatë ligjore.

Deklarata e banorëve:

"Ne jemi disa pronarë të një njësie, domethënë, që e kemi qenë biznes aktiv. Unë kam pasur një furrë buke edhe objekti është prishur në kohën e tërmetit në vitin 2019.

Atëherë është bërë një prishje e pallatit edhe mbas prishjes neve na është premtuar që do marrim po të njëjtat prona në të njëjtin objekt ku kemi pasur pronësinë. Ne zotërojmë çertifikatat e pronësisë, në qoftë se mund t'i tregoj, që janë çertifikata të rregullta të pronësisë të marra në vitin 2009. 

Edhe ne domethënë tani kohët e fundit kemi parë aty disa lëvizje nga komuna, të cilat ata duan t'i bëjnë zyra për komunën, në pronat që ne jemi pronarë. Ky është problemi jonë.  Atëherë, atëherë, atëherë, hapat tonë kanë qenë që ne kemi bërë disa kërkesa në bashki për të marrë një informacion për pronën tonë. Edhe ne s'kemi marrë asnjë përgjigje.

Kemi bërë nga viti 2020, nga viti 2024 deri më sot kemi bërë diku ke 10 ose 13 kërkesa, edhe ne s'kemi marrë asnjë përgjigje nga bashkia, që çfarë do bëhet me pronat tona. E kupton? Kjo ka qenë ajo që kemi bërë ne. Tani kohët e fundit, siç e thashë dhe pak më parë, ne kemi parë lëvizje nga anëtarët e komunës, të cilat pronat tona duan t'i marrin dhe t'i bëjnë zyra të shtetit.

Kemi folur dhe me anëtarët e komunës edhe na kanë thënë që ne po paguajmë qira në një objekt tjetër privat, edhe duam që t'i marrim pronat tuaja t'i bëjmë, t'i bëjmë zyra shteti.

Ne do përpiqemi, ne do përpiqemi me rrugë ligjore normalisht, sepse i kemi prona që i kemi me çertifikata pronësie të rregullta. Pastaj do vazhdojmë me kërkesa në bashki. Nuk e di se si do e zgjidhim, e kupton? Se është një problem që neve s'po na japin zgjidhje fare"
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco