Pronari i një lokali është vënë në pranga nga policia në Vaun e Dejës. Arrestimi i 70-vjeçarit ka ardhur pasi në lokalin e tij u gjetën fara lëndësh narkotike.
I arrestuari është identifikuar me inicialet Xh. M. Policia njofton se u gjetën 1678 fara kanabisi, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
“Vau i Dejës/Goditet një rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet operacioni i koduar “SEEDS”. Gjenden në një lokal në fshatin Kosmaç dhe sekuestrohen 1678 fara të dyshuara narkotike kanabis. Arrestohet në flagrancë pronari i lokalit.
Në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “SEEDS”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kryer kontroll në lokalin e shtetasit Xh. M., në fshatin Kosmaç, ku gjetën 1678 fara kanabisi, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi Xh. M., 70 vjeç, banues në fshatin Kosmaç.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
© SYRI.net