Një shtetase kineze është proceduar penalisht pasi tentoi të nxirrte nga Republika e Shqipërisë një shumë të konsiderueshme parash, pa i deklaruar sipas parashikimeve ligjore.
Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në hyrje dhe dalje të vendit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, në bashkëpunim me autoritetet doganore, kanë konstatuar një tjetër rast të mosdeklarimit të shumave monetare.
Gjatë kontrollit në vijën e dytë, shtetases A. W., 45 vjeçe, me shtetësi kineze, iu gjetën 61 755 euro dhe 10 000 dollarë amerikanë, të cilat ajo dyshohet se synonte t’i nxirrte nga vendi pa i deklaruar konform ligjit. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve procedurale, materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, e cila nisi procedimin penal në gjendje të lirë ndaj 45-vjeçares, për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net