Policia e qytetit të Ankonës ka arrestuar një 35-vjeçar shqiptar për trafik droge, pas një operacioni të organizuar nga 'squadra mobile', e udhëhequr nga zëvendës komisari Carlo Pinto. Operacioni nisi pasi agjentët morën informacion nga burime konfidenciale se shqiptari kishte ngritur një aktivitet të zhvilluar të shpërndarjes së kokainës.
Mëngjesin e së mërkurës, policia ka ndaluar klientin që kishte marrë një dozë droge në Pinocchio, duke konfirmuar blerjen. Më pas, ata kanë ndjekur dhe arrestuar shqiptarin në një pikë karburanti, ku iu gjetën 6 gramë kokainë të ndara në 15 doza, fshehur brenda vezëve të njohura Kinder.
Pas arrestimit, policia ka kontrolluar edhe banesën e tij në lagjen Brecce Bianche, ku kanë zbuluar një “qendër droge”: mbi tavolinë ishin një peshore precize, disa pako me kokainë, mjete për paketimin, katër telefona celularë dhe një shumë parash në dorë. Në total, në banesë u gjetën 2.5 kilogram kokainë, pjesërisht e ndarë në qindra doza të vogla, gati për shpërndarje.
Shqiptari, i papunë dhe me precedentë të vegjël jo të lidhur me drogën, përdorte makinën e tij për shpërndarjen e dozave. Ai do të mbetet në burgun e Montacuto, në pritje të seancës së konfirmimit të arrestimit, nën kujdesin e avokates së tij Antonella Devoli.
Policia thekson se ky është një nga sekuestrimet më të mëdha të kokainës në qytet në kohët e fundit, duke treguar edhe kërkesën e madhe për drogë në zonë.
© SYRI.net