VIDEO/ EMRI/ Sulmoi policët me sharrë elektrike, shqiptari fyen gjykatësin pasi u dënua me 10 vite burg

13:03, 20/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Jenness Mitchell, SKY NEWS

Një person, i cili ndoqi një oficer policie me sharrë elektrike, në përpjekje për ta vrarë, është dënuar me 10 vjet burg.

Liridon Kastrati, 32 vjeç, u shpall fajtor në nëntor për tentativë vrasjeje ndaj oficerit Gary Cowan, pas një gjykimi në Gjykatën e Lartë në Paisley.

Sulmi ndodhi në mes të ditës më 6 maj 2024, në një qytet të Renfrewshire, pasi një makinë Volkswagen e drejtuar nga Kastrati, shtetas shqiptar, u përplas me një automjet policie.

Oficeri Cowan i tha gjykatës se fillimisht iu afrua Kastratit me qëllim ta arrestonte, por më pas u detyrua të vraponte për jetën e tij, pasi sulmuesi u kthye te makina, mori një sharrë elektrike, e ndezi dhe filloi ta ndiqte duke bërtitur “q... policinë”.

Oficeri tha: “Po më ndiqte me sharrën elektrike, duke e mbajtur lart dhe duke vrapuar pas meje.”

Ai shtoi: “Mendova se, nëse nuk krijoj distancë, do të më vrasë.”

Oficeri deklaroi se besonte se Kastrati do t’ia “priste krahët, do t’i priste kokën”, dhe se ishte “i tmerruar”.

Gjatë dhënies së dënimit në Gjykatën e Lartë në Glasgow të martën, gjykatësi William Gallacher tha: “Duke marrë parasysh shumë raste dhune gjatë viteve në gjykatat e Skocisë, nuk kam hasur kurrë përdorimin e një sharrë elektrike si armë”.

“Shumëkush mund të mendonte se kjo i përket vetëm filmave horror.”

Akuzat për prishje të rendit publik, vjedhje makine dhe shkelje të rregullave të qarkullimit u hoqën nga prokuroria gjatë gjykimit.

Pasi u dënua me 10 vjet burg, Kastrati filloi të godiste bankën e të akuzuarve dhe i bërtiti gjykatësit.

Teksa po shoqërohej nga rojet, ai bërtiti në shqip dhe më pas tha në anglisht: “ju jeni një terrorist i q...” dhe “vendi juaj është një vend terrorist”.

Gjykatësi Gallacher tha se kishte qenë një “ditë e zakonshme” për një grup policësh në detyrë, derisa Kastrati u përplas me automjetin e policisë.

Ai shtoi se sulmuesi e ndoqi oficerin Cowan në një mënyrë “të tmerrshme dhe frikësuese”.

Duke përshkruar pamjet nga kamerat e sigurisë dhe videot nga telefonat celularë, gjykatësi deklaroi: “Ishte e qartë se ju ishit në ndjekje të drejtpërdrejtë, duke tundur një armë vdekjeprurëse, pa u shqetësuar dukshëm për asgjë apo askënd tjetër përveç oficerit Cowan”.

“Pamjet tregonin disa makina dhe mjete të tjera që detyroheshin të ngadalësonin ose të ndalonin, kur drejtuesit e tyre e kuptuan se një burrë me sharrë elektrike po ndiqte një oficer policie.

“Një qytetar tregoi se u përpoq ta bindte oficerin Cowan të hynte në makinën e tij, ‘për t’i shpëtuar jetën’.”

Kolegët e oficerit Cowan mbërritën në vendngjarje dhe ndihmuan në arrestimin e Kastratit.

Gjykatësi vuri në dukje se, kur sulmuesi ndaloi së vrapuari dhe e uli sharrën elektrike, një qytetar e hodhi atë jashtë mundësisë së tij për ta kapur.

Më herët, në mbrojtje, avokati John Scullion pretendoi se klienti i tij e kishte sharrën elektrike në makinë për punë kopshti.

Z. Scullion tha se Kastrati, i cili vuan nga stresi, reagoi “në mënyrë spontane dhe impulsive” pas aksidentit rrugor dhe veproi në mënyrë “irracionale” pasi u panikua për statusin e tij të emigracionit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco