EMRAT/ Ndoqën dhe i prenë rrugën gazetarit Osman Stafa, identifikohen autorët, ishin punonjës të një firme...

EMRAT/ Ndoqën dhe i prenë rrugën gazetarit Osman Stafa, identifikohen autorët, ishin punonjës të një firme...

21:53, 17/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Janë identifikuar dhe proceduar penalisht dy personat e dyshuar për kanosjen e gazetarit Osman Stafa, i cili denoncoi se u ndoq dhe iu pre rruga me automjet pas dokumentimit të nxjerrjes së inerteve në lumin Shkumbin.

Burime zyrtare bëjnë me dije se, pas kallëzimit të gazetarit dhe veprimeve të para hetimore të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë, është regjistruar procedim penal për veprën “Kanosja për shkak të detyrës” ndaj Renald Tolit, 33 vjeç, banues në Tiranë, dhe Ardjan Bicit, 31 vjeç, banues në Librazhd, të cilët rezultojnë të jenë punonjës të një firme.

Sipas hetimeve paraprake, më 17 korrik, rreth orës 14:00, Osman Stafa ka njoftuar Policinë se, teksa po lëvizte në aksin Librazhd–Elbasan, është ndjerë i kanosur nga dy persona që udhëtonin me një automjet.

Ngjarja ndodhi pak pasi gazetari kishte dokumentuar aktivitetin e një eskavatori që nxirrte inerte nga shtrati i lumit Shkumbin. Në kallëzimin e tij, Stafa deklaroi se automjeti e ndoqi për rreth një kilometër dhe i preu rrugën, duke e detyruar më pas të drejtohej në polici.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë, kryen veprimet e para hetimore dhe nisën procedimin penal për veprën penale "Kanosja për shkak të detyrës", ndaj shtetasve R. T., 33 vjeç,  banues në Tiranë dhe A. B., 31 vjeç, banues në Librazhd.

Më datë 17.07.2026, rreth orës 14:00, në Sallën Operative të Policisë ka njoftuar shtetasi O. S., gazetar, i cili ka deklaruar se, gjatë lëvizjes në aksin rrugor Librazhd–Elbasan, është ndjerë i kanosur nga dy shtetas që udhëtonin me një automjet.

Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore dhe administrimit të provave, nisi procedimi penal ndaj dy shtetasve për veprën penale "Kanosja për shkak të detyrës".

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco