Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Mister, kush është zyrtari i Ramës në Aruba?

I shpëtoi dy atentateve me armë në Tiranë dhe Gjirokastër, e shkuara e errët e Jani Aliajt! U vra sot në burgun e Koridhalos

I shpëtoi dy atentateve me armë në Tiranë dhe Gjirokastër, e shkuara e errët e Jani Aliajt! U vra sot në burgun e Koridhalos

17:11, 19/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Elton Qyno 

Jani Aliaj, 49-vjeçari nga Tepelena, i arrestuar në Greqi më 31 dhjetor 2024, u vra brenda ambienteve të burgut të Koridhalosit në Greqi pasi u godit disa herë me thikë nga një i burgosur grek.

Jani Aliaj, ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Elton Çiços në Tiranë dhe më 31 dhjetor 2024, ishte arrestuar në Greqi me qëllim ekstradimin e tij në Shqipëri.

Ai u arrestua me identitet të rremë, Aleksan Kreshnik. 

Vrasja ka ndodhur brenda në burgun ku mbahet i izoluar Jani Aliaj dhe krimi sipas mediave greke është kryer nga një i dënuar me shtetësi Greke.

Në 10 vjet, Jani Aliaj u akuzua për 2 vrasje. Të paktën të dokumentuara dhe për të cilat drejtësia ka folur. Të parën në Greqi, për të cilën është dënuar me 18 vjet burg dhe të dytën në Shqipëri, ku është dënuar me burgim të përjetshëm në mungesë.

I ka shpëtuar dy atentateve me armë zjarri në Tiranë e Gjirokastër dhe një sulmi më thikë në burgun e Koridhalosë në Greqi. Aktualisht, në Gjykatën e Posaçme ka nisur gjyqi ndaj tij për, vrasje të mbetur në tentativë, prodhim dhe shitje narkotikësh he pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Për disa vite, Policia e Shtetit e rendiste në krah të 5 personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, si Talo Çela, Ibrahim Lici, Erjon Llapushi dhe Laert Haxhiu, ky i fundit tashmë i zoluar në qeli.

Emri i tij lidhet me një zinxhir vrasjesh e plagosjesh të ndodhura për larje hesapesh në Gjirokastër, Tepelenë, Tiranë, Durrës e Fier.

Janë pikërisht këto ngjarje, që pasi kulmuan në vitin 2016, nisën të pasojnë njëra – tjetrën dhe nxorën në sipërfaqe përplasjet e dy grupeve nga Tepelena. Deri në atë kohë dihej pak, ose aspak për aktivitetet e tyre, që në shumicën e rasteve ishin shtrirë edhe përtej kufijve.

Dy personazhet kryesore që duket se ideuan dhe realizuan disa atentate, të finalizuara e të dështuara, ishin Elton Çiça, i cili u vra në Tiranë dhe Jani Aliaj që u dënua me burgim të përjetshëm për ekzekutimin e tij.

Hakmarrja mes dy djemve nga Tepelena, Elton Çiça dhe Jani Alia, nisi në vitin 2006 pas një vrasjeje në rajonin e Atikës Perëndimore. U zhvendos më vonë në burgun e Koridhalosë në Greqi e më pas u pasua me plagosje e vrasje mes dy grupeve, në Gjirokastër, Tiranë, Durrës e Fier. Kjo përplasje, që u duk se kishte nisur nga një sherr banal, në fakt zhvilloi një sagë të përgjakshme, që për 10 vjet shkaktoi 4 të vrarë, 5 të plagosur dhe disa atentate të dështuara që Çiça e Alia, i bënë njëri-tjetrit, më vonë edhe ndaj miqve të tyre.

Pas ngjarjes së datës 1 maj 2016, ku mbeti i vrarë Elton Çiça, Policisë së Tiranës i është dashur të gjurmojë të shkuarën e hershme të viktimës për të zbuluar motivin e vrasjes së tij në kryeqytet.

 

Burime nga grupi hetimor thanë në atë kohë se Çiça u ekzekutua për motive hakmarrje, që lidhej me një vrasje të ndodhur në vitin 2006.

Në rajonin e Atikës Perëndimore, në Greqi, Jani Alia goditi për vdekje me thikë djalin e shtetasit Shyqo Ballazhiu, nga fshati me emrin Zhapokikë, i Memaliajt.

 Viktima, E. Ballazhiu 20 vjeç, ishte shoku i fëmijërisë së Elton Çiçës, bashkëmoshatar i tij.

Ata ishin rritur bashkë në Tepelenë dhe Çiça ishte interesuar shumë për të mësuar se kush ishte autori i vrasjes së shokut të tij.

Në momentin që e ka marrë vesh se autori ishte po ashtu nga Tepelena dhe sapo ka mësuar emrin e tij, Elton Çiça i ka dërguar fjalë në burg Alisë, duke i thënë se do merrte hak për këtë vrasje. Jani Alia, ishte arrestuar nga Policia helene dhe ndodhej në paraburgim.

Rreth 3 vite më vonë, ndodh që arrestohet në Greqi edhe Elton Çiça. Dy tepelenasit rastis të përballen në të njëjtin vend, në Burgun e Koridhalosë, Alia i dënuar me 18 vjet burg për vrasje dhe Çiça me 5 vjet për drogë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco