Asnjë tentativë hyrjeje në kompjuterin e Dumanit. Si u 'mitizua' shefi i SPAK me dosjen e hakerimit të E-Maileve

Asnjë tentativë hyrjeje në kompjuterin e Dumanit. Si u 'mitizua' shefi i SPAK me dosjen e hakerimit të E-Maileve

20:56, 17/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -
Asnjë tentativë apo qoftë dhe hyrje në kompjuterin e ish-shefit të SPAK, Altin Dumani, nuk është realizuar nga dy personat e arrestuar në muajin Prill 2025, Arnold Rrokaj dhe miku i tij, Zambak Gjonaj.

Në dosjen hetimore kundër Rrokaj, Gjonaj dhe ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismailaj, nuk evidentohet asnjë fragment që të faktojë ndërhyrjen por dhe një tentativë të mundshme, në kompjuterin e Altin Dumani.

Kujtojmë se në 3 Prill 2025, prokuroria e posaçme SPAK e drejtuar në atë kohë nga Altin Dumani, përmes një njoftimi vuri në dukje se:

“…nga verifikimet e kryera, rezultoi se është ndërhyrë vetëm në adresat e e-maile-ve të disa prokurorëve, por jo në sistemin e përgjithshëm të IT-së të institucionit. Personat përgjegjës kanë arritur të marrin disa informacione, pa mundur të sigurojnë akses në dosje hetimore. Po ashtu, ata kanë tentuar të ndërhyjnë edhe në E-mail-in e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Z. Altin Dumani, por pa sukses…”.

Kjo deklaratë publike që më pas solli shpërthimin e titujve gazetareskë se dy hakërsat, kanë tentuar të hyjnë në kompjuterin e Altin Dumanit, nuk është vërtetuar as nga vetë hetimi që SPAK ka kryer për këtë çështje.

Deklarata e SPAK, solli marjen e protagonizmit të profilit të Altin Dumanit në titujt mediatikë. Por realisht Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjonaj, as kishin hyrë ndonjëherë tek kompjuteri i Dumanit, dhe njëherësh as kishin tentuar të hynin ndonjëherë tek kompjuteri i punës së tij.

Vetë hetimi i kryer nga SPAK, i cili është pasqyruar në njoftimin e akuzës ndaj Zambak Gjonaj, Agim Ismailit dhe Arnold Rrokaj, nuk evidenton asnjë tentativë apo hyrje tek kompjuteri i Dumanit.

Në dosje thuhet se Arnold Rrokaj,duke përdorur kodin “SPAK@2019”, kanë mundur të depërtojë në E-Mailet e prokurorëve të SPAK, Behar Dibra, Enkelejda Millonai dhe Elida Kaçkini. Në asnjë moment, dy të pandehurit as kanë tentuar dhe as i ka shkuar në mëndje të hyjnë tek Altin Dumani.

E vetmja dëshirë e tyre që shfaqet dhe në komunikimet mes njëri-tjetrit, është hapja e E-Mailit të prokurorit Klodian Braho, që aktualisht rezulton të jetë Drejtues i Prokurorisë së Posaçme SPAK.

Në materialin njoftim akuze, thuhet si më poshtë vijon:
“…i hetuari Arnold Rrokaj, gjithashtu informon mbi faktin se shumë shpejt do të aksesojë E-mail-et e një prokurori tjetër dhe konkretisht, më datë 18 shkurt 2025, ora 21:56:28 ai i shkruan të hetuarit Zambak Gjoni sms me përmbajtje: “…shumë shpejt Klod Brahon…”.

Derisa u zbulua krejt rastësisht, për çështjen e ndërhyrjes në E-Mailet e brendshme të prokurorëve, SPAK dhe vetë ish-drejtuesi i saj, nuk kishin asnjë dijeni se çfarë po ndodhte.

Para se të zbulohej ky skandal vetë SPAK dhe Altin Dumani, nuk kishin asnjë dijeni por u vu në dijeni nga miku i tij gazetar, Elvi Fundo. Siç thuhet edhe në dosjen e vetë SPAK-ut:

“…më datë 12 mars 2025, nga ana e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, informohet prokurori Bledar Maksuti se administratori i portalit mediatik “CNA”, Elvi Fundo, e kishte vënë në dijeni nëpërmjet “Whatsapp” se një shtetas me emrin Zambak Gjoni, i kishte dërguar informacione të procedimit penal nr. 277/1 të vitit 2022, të cilat i dispononte në formatin “Word”…”.

Bledar Maksuti dhe Altin Dumani me shumë urgjencë kanë nisur kryesisht hetim, duke rregjistruar procedimin penal me Nr. 277/1/1 të vitit 2025, duke hapur një dosje derivat me atë të Lefter Kokës.

Ish-shefi i SPAK-ut, së pari vuri vetë në dispozicion të oficerëve të BKH telefonin e tij për ta kqyrur, pikërisht në informacionin që i kishte dhënë Elvi Fundi.

“…nga këqyrja që ju bë aparatit telefonik celular të ish-drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme SPAK, rezulton se përmbajtja e dokumenteve që zotërohen përkatësisht nga shtetasi Elvi Fundo, dërguar nga ana e shtetasit Zambak Gjoni, përkon me dokumentacionin (elektronik file) të administruar në fashikullin dhe “Folder e procedimit penal 277/1” të vitit 2022…”-thuhet në dosjen e përfunduar të SPAK.

Pas kryerjes së disa veprimeve hetimore u identifikuan dhe lokalizuan e më pas arrestuar Zambak Gjonaj, Arnold Rrokaj. Ndërsa disa muaj më vonë u mor i pandehur në gjëndje të lirë dhe Agim Ismailaj, me pretendimin e SPAK se ka vepruar si Grup Kriminal, me Gjonaj dhe Rrokaj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Denonco