Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme serioze në fshatin Vajzë të bashkisë Selenicë. Si pasojë e motit të keq, një segment rrugor ka rrëshqitur, ndërsa dy banesa janë dëmtuar.
Rruga është bërë e pakalueshme për automjetet, duke vështirësuar lëvizjen e banorëve, ndërkohë që fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar nga dëmtimi i banesave. Forcat e Policisë ndodhen në terren dhe po monitorojnë situatën, pasi kjo rrugë shërben si lidhje për disa fshatra të njësisë administrative Sevaster.
Ndërkohë, situata paraqitet problematike edhe nga rritja e nivelit të lumit Vjosë, i cili ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur pazarin e gjësë së gjallë. Sipas të dhënave, niveli i ujit ka arritur rreth 7 metra.
Autoritetet kanë njoftuar banorët e zonave të rrezikuara dhe, si masë parandaluese, janë evakuuar 12 banesa. Prurjet në lumin Vjosë vijojnë të mbeten të larta, ndërsa strukturat përkatëse po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme për të shmangur rreziqe të mëtejshme.
© SYRI.net