SYRI TV/ 13-vjeçari grabitës sfidon rendin, i shoqëruar dhe i lënë i lirë me dhjetëra herë

17:33, 06/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

SYRI TV

Një 13 vjeçar është kthyer në makthin e bizneseve në Tiranë ky i thyen, vjedh para e sende materiale dhe largohet i pashqetësuar. Autoritetet duket se kanë dështuar me largimin e tij nga ky ves antiligjor, pasi shoqërimet e tij në komisariate herë pas here kanë qenë të paefektshme.

Ky që po shihni në pamje është një 13-vjeçar, i cili ka sfiduar autoritetet shtetërore që kanë dështuar me menaxhimin e veprimeve të tij, teksa është kthyer në makth për dhjetëra biznese në Tiranë. Këto janë pamjet e një prej grabitjeve që prej ditësh janë kthyer në sfidë për autoritetet e zbatimit të ligjit në kryeqytet.

Bëhet fjalë për një 13 vjeçar jetim sipas burimeve pranë uniformave blu, që është ndaluar disa herë dhe liruar për vepra të ngjashme penale, ç’ka tregon mungesën e një mekanizmi për të parandaluar ose riedukuar moshat e mitura që bien në rrjetën e veseve në konflikt me ligjin. Pamjet janë regjistruar në një bar kafe vetëm 15 metra larg godinës së Prokurorisë së Posaçme. I mituri futet në lokal përmes derës që e hap me një kaçavidë. Në duar mban një elektrik dore dhe i futet kontrolleve.

Në këtë bar kafe ka arritur të marrë rreth 70 mijë lekë të vjetra, një kuti kursimesh të fëmijëve të pronarit të lokalit dhe një “B52” (pije jo alkoolike freskuese). I mituri kontrollon i pashqetësuar, teksa bëhet fjalë për një ngjarje që ka ndodhur në orën 05:15 të mëngjesit të 5 janarit. Burimet thonë se i mituri është identifikuar dhe është i dyshuar për dhjetëra raste të ngjashme që kanë ndodhur në fund të 2025 dhe në fillim të 2026 teksa pamjet që po shihni i takojnë disa episodeve të tjera. Një sërë biznesesh kanë denoncuar në polici episode të ngjashme në Tiranë, duke ngritur alarmin për disa skema grabitjesh nga më të ndryshmet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco