SYRI TV/ Durrësi nën pushtetin e përmbytjeve, uji nuk diskriminon, pushton rrugët e qytetit

17:29, 06/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

SYRI TV

Prej disa orësh qyteti i Durrësit dhe rrethinat ndodhen në situatë emergjence si pasojë  e përmbytjeve nga reshjet intensive të shiut. Uji ka vërshuar në banesa e biznese, ndërsa dhjetëra familje janë evakuuar. Edhe burgu i Durrësit është përmbytur ku uji është futur në katin e parë të qelive. Shkak për këtë është bërë mosfunksioni i hodrovorëve dhe kanaleve kulluese.

Durrësi këtë martë është zgjuar nën pushtetin e ujit, teksa me përjashtim të  zonës pranë vilës së Zogut, asnjë lagje tjetër e këtij qyteti nuk i ka shpëtuar përmbytjeve masive që sollën reshjet dhe mosfunksionimi i rrjetit të kanalizimeve.

Uji ka depërtuar në katet e para të mijëra banesave, duke sjellë dëme kolosale për mijëra familje dhe biznese, teksa askush nuk u kujdes t’i paralajmëronte të merrnin masa, Këto pamje që sjellë Syri Tv nuk kanë nevojë për koment.

Shkak i përmbytjeve në Durrës është bërë mosfunksionimi i hidrovorit të qytetit dhe mosfunksionimi i kanalizimeve.

Zona më problematike vijon të mbetet pranë stadiumit “Niko Dovana”, ku me firmën e Edi Ramës do të ngrihet një kompleks kullash, teksa kritike mbetet situata në zonën e Durrësit të ri. Këto pamje që vijnë nga zona pranë stadiumit tregojnë situatën dramatike të shkaktuar nga uji në rrugë.

Këto pamje të një qytetari që ka zgjedhur një kanoe të vogël për të shpëtuar ujit është vetëm pak metra larg kompleksit Durrës Yatchs Marina, ku metri katror i një apartamenti  nis nga 4 mijë euro dhe  në bazë të çmimit të referencës është zona e me shtrenjtë për të blerë një shtëpi në territorin e Shqipërisë

Për shkak të reshjeve intensive të ujit rrugët në lagjet nr. 12, 13, 14, janë të pakalueshme.

Gjithashtu, ka bllokime të qarkullimit nga zona e Mauzoleumit të Dëshmorëve deri në zonën e Durrësit të Ri dhe Shkozet, e madje dhe në autostradën që lidh dy metropolet kryesore të vendit.

Kjo situatë ka shkaktuar trafik të rënduar në autostradë ku automjetet janë bllokuar prej disa orësh.

Përmbytjeve nuk i ka shpëtuar as burgu i Durrësit, streha e disa prej vipave të krimit dhe politikës.

Janë 8 ambiente  për kujdesin e subjekteve të veçanta që kanë probleme shëndetësore në këtë institucion që janë përmbytur, teksa të burgosurit dhe stafet janë ngjitur në katin e dyte.  ndërkohë që ka prezencë uji 20 cm edhe në oborrin e jashtëm.

Përmbytja nga uji i Durrësit ka sjellë edhe pezullimin e mësimit nga çerdhet deri në Universitet, për shkak se rrugët që të  çojnë në këto institucione janë të mbuluara me ujë. 

Reshjet intensive kane shkaktuar përmbytje edhe në autostradën Durrës –Tiranë, ku më problematike është aksi pranë mbikalimit të Shënvalshit ku uji në autostradë është dhjetëra centimetra, ndërsa në terren ndodhen dy postoblloqe policie.

Situatë problematike paraqitet në njësinë administrative Rrashbull si dhe në Manzë, ku ura e fshatit Borç rrezikon shembjen për shkak të prurjeve të mëdha të ujit. Deri më tani janë evakuuar 10 familje, me nga 3–4 anëtarë secila, të cilat janë sistemuar pranë Kovalishencës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco