Gëzim Spahiu zgjidhet në krye të shoqatës së prokurorëve të Shqipërisë

Gëzim Spahiu zgjidhet në krye të shoqatës së prokurorëve të Shqipërisë

16:10, 24/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Elton Qyno, Syri Net

Pas një procesi të gjatë konsultimi mes prokurorëve nga të gjithë zyrat e prokurorive në vend, është themeluar së fundmi Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.

Shoqata është ngritur në respektim të ligjit të vitit 2016, që flet “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe do të funksionojë si një organizatë profesionale, jofitimprurëse dhe e pavarur.

Kjo shoqatë lindi pas humbjes së funksionimit të Unionit të Prokurorëve të Shqipërisë.

Shoqata e Prokurorëve është e para organizatë e këtij lloji që themelohet pas miratimit dhe zbatimit të Reformës në Drejtësi, duke vepruar brenda kornizës së re kushtetuese dhe ligjore për sistemin prokurorial.

Përmes kësaj shoqate, synohet të ofrohet një strukturë të qëndrueshme dhe të organizuar, e cila do të shërbejë si një pikë referimi për zhvillimet e rëndësishme, problematikat dhe çështjet që lidhen me statusin dhe funksionin e prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Teksa sistemi i drejtësisë përballet vazhdimisht me sfida të ndryshme, është vlerësuar e domosdoshme një qasje më aktive dhe e organizuar edhe nga vetë trupa e prokurorëve.

Misioni kryesor i Shoqatës së Prokurorëve, është garantimi dhe mbrojtja e statusit, pavarësisë dhe integritetit të prokurorëve, si dhe promovimi i vlerave dhe rolit të tyre në një shoqëri demokratike dhe shtet të së drejtës.

Shoqata e Prokurorëve do të angazhohet aktivisht në proceset ligjbërëse dhe vendimmarrëse që prekin sistemin e drejtësisë, përmes dhënies së kontributeve profesionale dhe mbajtjes, sipas rastit, të qëndrimeve institucionale dhe publike.

Një rëndësi të veçantë do t’i kushtohet nxitjes së dialogut dhe bashkëpunimit konstruktiv me institucionet shtetërore, shoqërinë civile, mediat dhe aktorë të tjerë.

Shoqata e Prokurorëve ka në përbërje prokurorë nga të gjithë zyrat e prokurorive në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë marrë përsipër angazhimin aktiv sipas fushave respektive.

Kryetar i Shoqatës së Prokurorëve në mandatin e parë është zgjedhur prokurori Gëzim Spahiu.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco