Bashkia e Vlorës, me një vendim të fundit, zhvendosi tregun e gjësë së gjallë në Jalli të Nartës. Por ky vendim ka lënë të pakënaqur si tregëtarët, ashtu edhe blerësit. Këta të fundit shprehen se tregu tashmë është i vështirë për tu aksesuar, ndërsa tregtarët theksojnë se zhvendosja larg qytetit, bënë që numri i blerësve të jetë më i ulët, ndërsa shtojnë se edhe kushtet në tregun e ri nuk janë të duhurat
SYRI TV
Zhvendosja e tregut të gjësë së gjallë në Jalli të Nartës ka sjellë pakënaqësi të forta te tregtarët dhe blerësit, të cilët thonë se ky vendim i ka dëmtuar drejtpërdrejt ekonomikisht. Sipas tregtarëve, largësia e tregut nga qyteti ka bërë që një pjesë e madhe e klientelës të mos frekuentojë më tregun. Ata theksojnë se qytetarët nuk janë informuar siç duhet për zhvendosjen, ndërsa për shumë prej tyre distanca është e papërballueshme, duke sjellë rënie të ndjeshme të shitjeve.
Përveç mungesës së klientëve, tregtarët ngrenë shqetësimin edhe për kushtet në të cilat ndodhet tregu. Sipas tyre, zona nuk plotëson asnjë standard për t’u quajtur treg i mirëfilltë, pasi mungon infrastruktura bazë dhe hapësirat e nevojshme për zhvillimin normal të aktivitetit.
Edhe blerësit ndajnë të njëjtin shqetësim, duke u shprehur se tregu ndodhet shumë larg dhe është i vështirë për t’u aksesuar. Sa i përket çmimeve, ata thonë se nuk ka ndryshime, pasi kanë mbetur në të njëjtin nivel si vitin e kaluar.
Tregtarët kërkojnë rishikimin e vendimit ose përmirësimin e kushteve, pasi në të kundërt rrezikohet që tregu i gjësë së gjallë të humbasë funksionin e tij dhe të sjellë edhe më shumë humbje për ta.
© SYRI.net