Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka reaguar ashpër lidhur me skandalin që po ndodh në parkun arkeologjik të Finiqit.
Në një deklaratë të saj Ministria e Kulturës konfirmoi se punimet me eskavator në Akropolin e Finiqit janë të autorizuara prej saj, e skandali bëhet më i madh pasi gazetarët që ndodheshin në vendngjarje raportuan se në sitin arkeologjik nuk kishte asnjë arkeolog apo restaurator.
Sipas ministrisë së Kulturës këto punime po kryhen nga kompania “JOGI shpk”. Nga një verifikim i thjeshtë në faqet zyrtare të administratës tregon se kjo kompani nuk ka asnjë eksperiencë të njohur në restaurimin e mureve antike të një rëndësie të tillë ndërkombëtare si ato të Finiqit.
Gjithashtu, këto punime të autorizuara nuk rezultojnë të jenë të publikuara në faqen e IKTK-së, ku publikohen vendimet dhe ndërhyrjet zyrtare të institucionit.
Specialistët theksojnë se në një sit arkeologjik të kësaj kategorie nuk lejohet përdorimi i mjeteve të rënda, pasi ato mund të dëmtojnë shtresat kulturore dhe arkeologjike.
Pyetja që ngrihet tashmë është: a ka mbetur dikush në Ministrinë e Kulturës që të kuptojë konceptet bazë teknike të mbrojtjes dhe restaurimit të trashëgimisë?
© SYRI.net