Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin e ishullit Zakynthos, ku një djalë vetëm 2 vjeç humbi jetën pasi u sulmua për vdekje nga qeni pit bull i familjes, në fshatin Agios Leontas.
Sipas informacioneve nga mediat greke, babai shqiptar dhe nëna britanike kishin dalë për të blerë ushqime dhe, pas kthimit pak pas mesditës, i mituri i ka shpëtuar vëmendjes së tyre. Ai është afruar pranë një peme ku ishte lidhur qeni pit bull, i cili e ka sulmuar në mënyrë brutale, duke i shkaktuar plagë të rënda.
“Vajza ime e vogël më thirri dhe vrapova menjëherë. Kaq mbaj mend… djali im i vogël ishte zhdukur,” deklaroi babai i fëmijës për Alpha, që dridhej. Ai shtoi se qeni ishte endacak dhe ishte strehur nga familja për ta shpëtuar.
“E mora që të kishte një vend ku të qëndronte… dhe ai më hëngri fëmijën. Fëmija më pa, më buzëqeshi dhe mbylli sytë,” tha ai.
Prindërit e dërguan menjëherë fëmijën në Spitalin e Përgjithshëm të Zakynthos, ku mjekët u përpoqën ta rikthenin në jetë, por për fat të keq përpjekjet e tyre rezultuan të pasuksesshme.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes tragjike, ndërsa prindërit janë ndaluar në pritje të procedurave ligjore. Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë në komunitetin lokal, duke rihapur debatin për sigurinë dhe mbajtjen e qenve potencialisht të rrezikshëm.
© SYRI.net