SYRI TV/ Mbyllet dosja ‘Revanshi’, 27 persona në gjykim

15:58, 06/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pas rreth dy vitesh hetime, Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për dosjen “Revanshi”. 27 persona me precedentë të theksuar kriminal dhe të akuzuar për vepra të ndryshme penale tashmë do të dalin para gjykatës për disa ngjarje kriminale, ku përfshirja e tyre është vërtetuar pas zbërthimit të aplikacionit SKY EÇ. Janë të paktën 8 ngjarje kriminale të zbardhura nga SPAK, ku nuk mungon as përfshirja e punonjësve të policisë së shtetit, të cilët sërish dalin se kanë bashkëpunuar me këto grupe kriminale.

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen “Revanshi”, pjesë e të cilës janë emra të njohur të botës së krimit dhe disa grupe kriminale që veprojnë në qytete të ndryshme të Shqipërisë. 27 persona me precedentë të mëparshëm kriminalë akuzohen për disa krime të rënda kundër jetës dhe grup të strukturuar kriminal. Disa prej tyre janë vënë në pranga nga policia, ndërsa disa të tjerë janë ende në kërkim. SPAK ka zbardhur disa ngjarje kriminale, hetimet e të cilave u zhvilluan pas ardhjes së bisedave të transkriptuara nga aplikacioni SKY EÇ.

Nga hetimet e SPAK është zbardhur se Arben Ndoka dhe Arian Tuku, në rolin e krijuesve, organizuesve dhe drejtuesve të një grupi të strukturuar kriminal, në bashkëpunim me Ervis Martinaj, Samuel Ndoka, Jozi Kraja, Aldo Avdyli (alias Elidon Avdyli), Marklen Haka (alias Marklen Aliu) dhe të pandehur të tjerë, gjatë vitit 2020 kanë siguruar kushte dhe mjete materiale për të kryer vrasjen e shtetasve Durim Bami dhe Valter Bami.

Gjithashtu, Arben Ndoka dhe Arian Tuku, në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të këtij grupi, përfshirë Samuel Ndokën dhe Vinçens Tukun, kanë planifikuar vrasjen e shtetasit Aleks Ndreka, e cila ka mbetur në tentativë. Aleks Ndreka mori plagë të lehta, pasi u qëllua me armë zjarri nga një automjet.

Tori Xhecuka (alias Hektor Xhecuka), i financuar nga Ervis Martinaj, së bashku me Florenc Kelmendin (alias Florenc Toçi) dhe Marklen Hakën, prej qershorit 2020 kanë bashkëpunuar për vrasjen e Durim Bamit, për shkak të konflikteve që Ervis Martinaj dhe Tori Xhecuka kishin me të. Më 4 nëntor 2020, ata tentuan të vrisnin me armë zjarri pa leje shtetasit Durim Bami dhe Ervin Kodra në vendin e quajtur Ura e Tapizës, Fushë Krujë. Bami dhe Kodra po udhëtonin me një autoveturë Range Rover ngjyrë e zezë me targa italiane, ndërsa pasagjer ka qenë djali i hallës së Kodrës, Ervin Kodra.

I pandehuri Durim Bami, në bashkëpunim me të pandehurin Endrit Dokle, gjatë muajit janar 2021 ka siguruar kushte dhe mjete materiale për të kryer vrasjen e shtetasit Arben Ndoka. Po ashtu, Durim Bami, në bashkëpunim me Endrit Doklen dhe Marklen Hakën, gjatë muajit shkurt 2021 ka siguruar kushte dhe mjete materiale për të kryer vrasjen e shtetasve Tori Xhecuka (alias Hektor Xhecuka) dhe Erigers Mihasi.

I pandehuri Ervis Martinaj, në bashkëpunim me Denis Metën dhe Kristos Teta, gjatë vitit 2020 ka siguruar kushte dhe mjete materiale për të kryer vrasjen e shtetasve Leonard Duka, Elvis Gaca dhe Altin Gega.

Ervis Martinaj, gjatë vitit 2020 deri në mars 2021, ka siguruar kushte dhe mjete materiale për të kryer vrasjen e shtetasve Fatmir Hyseni dhe Armando Hyseni.

Fatmir Hyseni, Erlis Duka dhe Altin Gega, të drejtuar nga Leonard Duka, gjatë muajve qershor-korrik 2020 kanë siguruar kushte dhe mjete materiale për të kryer vrasjen e shtetasve Ervis Martinaj dhe Erigers Mihasi.

Elson Reçi (alias Elson Kaçorri), në bashkëpunim me Fatmir Troplinin dhe Klodian Shahinin, gjatë periudhës qershor-shtator 2020 ka siguruar kushte dhe mjete materiale për vrasjen e shtetasit Preng Gjini (alias Preng Badanance). Qëllimi u realizua duke mbetur në tentativë më 15 shtator 2020, në vendin e quajtur Ura e Nishërakut, ku në automjetin tip Mercedes Benz me targa AA 903 YG shpërtheu një sasi lënde eksplozive. Drejtuesi i mjetit, shtetasi Preng Gjini (alias Preng Badanance), mbeti i plagosur rëndë.

Nga hetimet e SPAK është faktuar gjithashtu bashkëpunimi i drejtuesve të policisë së shtetit me këto grupe kriminale. Ish-pjesëtari i forcave RENEA, Altin Morina, bashkëpunonte me Durim Bamin për kultivimin e kanabisit në zonën e Fushë-Krujës. Morina e informonte Bamin për lëvizjet e policisë. Po ashtu, Henerigert Mitri, drejtor i policisë së Qarkut të Lezhës, dhe Klodian Shahini, shef i sektorit të narkotikëve në këtë qark, bashkëpunonin me këto grupe për kultivimin e kanabisit dhe lejimin e lojërave të fatit.

TABELA

Arben Ndoka

Arian Tuku

Samuel Ndoka

Vinçens Tuku

Ervis Martinaj

Jozi Kraja

Aldo Avdyli (alias Elidon Avdyli)

Oltion Zefi

Edson Jozëik (alias Edson Pjetri, alias Edmir Pjetri)

Kasandër Noga

Elson Reçi (alias Elson Kaçorri)

Fatmir Troplini

Klodian Shahini

Henerigert Mitri

Kristos Teta

Denis Meta

Marklen Haka (alias Marklen Aliu)

Tori Xhecuka (alias Hektor Xhecuka)

Florenc Kelmendi (alias Florenc Toçi)

Ardit Gjokrosa

Durim Bami

Endrit Dokle

Altin Morina

Erlis Duka

Fatmir Hyseni

Altin Gega

Elton Zalla

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco