Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 22-të e protestës qytetare në Tiranë, kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama

Vrasja e biznesmenit Edmond Mëhalla, lihen në burg dy të akuzuarit

Vrasja e biznesmenit Edmond Mëhalla, lihen në burg dy të akuzuarit

13:10, 05/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka vendosur sot masën e sigurisë “arrest me burg” për dy të akuzuarit për përfshirje në vrasjen e biznesmenit Edmond Mëhalla ndodhur më 30 nëntor 2025. 

Vendimi është dhënë nga kryetarja e Gjykatës, gjyqtarja Elis Dine, pas një seance të zhvilluar në rrethana të forta sigurie dhe me dyer të mbyllura.

Prokuroria e Elbasanit, përmes prokurorit të çështjes Gjergji Ceka, ka paraqitur kërkesën zyrtare me objekt “vlerësim arresti në flagrancë dhe caktim mase sigurimi” për dy të ndaluarit e parë, Xhino Ago dhe Kujtim Pisha.

Kërkesa ishte regjistruar që ditën e enjte, ndërsa sot, nga ora 10:00, u shqyrtua në sallën e gjyqit nën praninë e forcave të shumta të sigurisë.

Ndërkohë, Prokuroria ka depozituar një kërkesë të veçantë për masë sigurie edhe për të arrestuarin e tretë, Nevzat Spaho, i ndaluar në Prrenjas dhe i dyshuar si ekzekutori i biznesmenit. Seanca për të pritet të mbahet gjatë fundjavës.

Hetimet për zbardhjen e plotë të organizimit dhe ekzekutimit të vrasjes së Mëhallës vijojnë me intensitet, ndërsa priten zhvillime të tjera në dosjen që ka tronditur opinionin publik të Elbasanit.

Njoftimi i Gjykatës:

Gjykata e Shkallёs sё Parё e Juridiksionit tё Pёrgjithshёm Elbasan në kuadër të transparencës, me qëllim mirëinformimin e publikut në vlerësim të interesit të lartë publik, informon mbi vendimmarrjen e masave tё sigurimit pёr Kërkesёn në Fazën e Hetimit Paraprak me objekt “Vleftësimin e ligjshëm të arrestit të personit nën hetim” Xh.A, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Vrasja me paramendim", kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 78-25 të Kodit Penal  dhe “ Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga nenet 278 /1e 25 të Kodit Penal dhe “Vleftësimin e ligjshëm të arrestit të personit nën hetim” K.P, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Moskallëzimi i krimit", parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.  nё lidhje me nё lidhje me ngjarjen e vrasjes sё shtetasit E.H alias M.M.                     

VENDOSI:

Pranimin e kërkesës së Prokurorisë Elbasan.

Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të kryer nga policia gjyqësore, më datë 01.12.2025, ora 02.00 ndaj personit nën hetim Xh. A., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 78-25 të Kodit Penal dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” parashikuar nga nenet 278 /1e 25 të Kodit Penal.

Caktimin ndaj personit nën hetim Xh. A., si masë sigurimi “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr. Penale.

Vleftësimin e ligjshëm të arresiti në flagrancë të kryer nga policia gjyqësore, më datë 01.12.2025, ora 19.45 ndaj personit nën hetim K. P., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzim i krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.

Caktimin ndaj personit nën hetim K. P., si masë sigurimi atë të “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 të K.Pr. Penale.

Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar palëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco