Një tjetër kryebashkiak i Partisë Socialiste, e drejtuar nga Edi Rama merret i pandehur. Prokuroria e Posaçme mori sot të pandehur kryetaren e bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi.
Ajo akuzohet për 'përdorim të funksionit publik për veprimtari politike’ informon gazetari I Syri Tv, Fatjon Gjinaj.
Nga informacionet paraprake çështja lidhet me dyshimet për dhënien e shpërblimeve dhe premtimeve me qëllim ndikimin politik.
Bufi është denoncuar disa herë nga emisioni investigativ 'Piranja' i transmetuar në Syri Tv, për presion ndaj administratës dhe abuzim me fondet. Ajo është kallëzuar në SPAK nga PD për dy vepra penale, “Shpërdorim detyre” dhe “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Sipas kallëzimeve, kryebashkiakja ka kryer me dashje dhe personalisht gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve lokale të 2023, shkelje të rënda kundër punonjësve të administratës publike, për t’i penguar ata të votojnë lirisht, shkelje si kërcënime, presione dhe shantazhe.
Shantazhet e Bufit
Gjatë dy viteve të fundit në SPAK janë depozituar tre kallëzime ndaj Bufit, ndërsa disa herë, është paraqitur për të dhënë deklarime.
Në dy raste të denoncuara përmes audio-përgjimeve të publikuara nga emisioni investigativ “Piranjat”, dhe të depozituara si kallëzime penale nga Partia Demokratike kryebashkiakja u akuzua se ka përdorur detyrën për ndikimin e vullnetit të qytetarëve në zgjedhjet e 14 majit 2023.
Episodi i parë: Emisioni “Piranja” publikoi një video ku kërcënoi një sanitare e cila kishte marrë pjesë në një miting.
Episodi i dytë është kur ajo kapet duke shantazhuar një tjetër qytetar të cilin e kërcënon që të mos shkojë të votojë në zgjedhjet 14 majit, pasi është deklaruar si mbështetës i kandidatit të opozitës. Bufi i bën presion qytetarit me faktin se bashkia i ka rikonstruktuar shtëpinë, e tani ai i është borxhli e s'duhet të shkojë të votojë për opozitën.
Hera e fundit që dha dëshmi ishte më 23 korrik 2025.
© SYRI.net