Ka përfunduar në sherr me grushte vendimi i Këshillit Bashkiak të Pogradecit, i cili miratoi marrjen e 35 hektarëve tokë në fshatin Çërravë për t'ua dhënë me qira investitorëve strategjikë. Ndërsa anëtarët socialistë të Këshillit ngritën kartonët për miratimin e vendimit, banorët e zonës ndërhynë në mbledhje duke i akuzuar këshilltarët për veprime të padrejta, çka shpërtheu në një debat të fortë që degjeneroi në përleshje fizike.
Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Pogradecit, e zhvilluar këtë të hënë, ishte shoqëruar me tensione të larta dhe një përplasje fizike mes një banori të fshatit Çërravë, Kevi Muçllari, dhe këshilltarit socialist Engjëll Shyti. Shkaku kryesor i tensioneve ishte miratimi i vendimit për t'ua marrë banorëve të zonës 34.6 hektarë tokë blegtorale dhe për ta dhënë atë me qira për investitorë strategjikë, pavarësisht kundërshtimeve të forta nga banorët e pranishëm në sallë. Vendimi u miratua me shumicë votash nga këshilltarët socialistë.
Ky vendim ka shkaktuar acarim të madh mes komunitetit, ku Kevi Muçllari e cilësoi atë "turp" dhe e sfidoi publikisht këshilltarin Shyti, duke përfunduar në një përplasje fizike mes tyre, pasi u provokua dhe u kërcënua. Situata u përshkallëzua deri sa ndërhyri Policia e Shtetit për të qetësuar situatën.
Pas ngjarjes, Muçllari dha një shpjegim për mediat, duke shpjeguar se konflikti shpërtheu për shkak të vendimit të padrejtë që cenon aktivitetin blegtoral të banorëve të Çërravës. Edhe banorët e tjerë të prekur nga ky vendim e konsideruan atë të padrejtë, pasi heqja e të drejtës për të shfrytëzuar këtë tokë për kullota do të dëmtonte aktivitetin e tyre të përditshëm.
Në mbledhje pati edhe këshilltarë që kundërshtuan mënyrën e miratimit të vendimit dhe shprehen shqetësime për mënyrën e trajtimit të kësaj çështjeje. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Bashkisë së Pogradecit la të hapur mundësinë për shfrytëzimin e tokës nga investitorët strategjikë, duke përfshirë projekte fotovoltaike.
Ndërkohë, situata në Çërravë mbetet e tensionuar, dhe banorët paralajmërojnë se ky konflikt për tokat nuk do të mbyllet me vendimin e Këshillit Bashkiak, duke lënë të hapur mundësinë për përpjekje të mëtejshme për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
© SYRI.net