Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Kufizimi”, duke goditur një rast të rëndë rrëmbimi dhe dhune me qëllim përfitimi pasuror.
Sipas njoftimit zyrtar, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, kanë arrestuar dy persona dhe kanë shpallur në kërkim tre të tjerë, të dyshuar për rrëmbim, dhunë dhe kanosje.
Të arrestuarit janë L. K., 24 vjeç dhe A. N., 24 vjeç, ndërsa në kërkim janë K. N., 23 vjeç, M. M., 21 vjeçe dhe S. C., 25 vjeçe.
Hetimet e deritanishme tregojnë se pesë të rinjtë kanë bashkëpunuar për t’i marrë një shumë parash një 27-vjeçari. Tre prej tyre e kanë rrëmbyer dhe e kanë dhunuar fizikisht në një apartament, duke e mbajtur për disa orë pa liri dhe duke e detyruar t’u japë 5000 euro. Pas dorëzimit të shumës, ata e kanë kërcënuar sërish për të marrë më shumë para.
Në vijim të operacionit, policia ka kontrolluar banesën e A. K., 60 vjeç, babai i njërit prej të arrestuarve, ku është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Gjatë kontrolleve në dhomën e L. K., janë gjetur dhe sekuestruar 5000 euro, që dyshohet të jenë marrë nga viktima, si dhe 6 celularë dhe 1 automjet.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.
© SYRI.net