Karabinierët italianë kanë arrestuar një 33-vjeçar shqiptar në zonën e Cinquemiglia, Città di Castello, pasi u kap në flagrancë gjatë një shkëmbimi të dyshimtë droge.
Sipas mediave italiane, oficerët ndërhynë në momentin e transaksionit mes dy shoferëve, duke zbuluar se në paketën e dorëzuar ndodheshin 1.2 kilogramë kokainë të pastër.
Hetimet çuan më pas në banesën e shqiptarit, banues në Umbertide, ku policia gjeti një peshore precize, materiale paketimi dhe rreth 21 mijë euro në para të gatshme, shumën të cilën i arrestuari nuk mundi ta justifikonte. Të gjitha materialet dhe paratë u sekuestruan nga karabinierët.
Pas arrestimit në flagrancë, 33-vjeçari u vu në dispozicion të autoriteteve gjyqësore në Perugia. Gjykata konfirmoi masën e arrestit, duke urdhëruar që ai të mbahet në arrest shtëpiak në pritje të hetimeve të mëtejshme.
© SYRI.net