U kap ‘mat’ me mallra kontrabandë nga RMV-ja, arrestohet 42-vjeçari në Dibër. Pas hekurave dhe doganieri

U kap ‘mat’ me mallra kontrabandë nga RMV-ja, arrestohet 42-vjeçari në Dibër. Pas hekurave dhe doganieri

08:52, 15/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Policia e Dibrës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Skaneri”, në kuadër të luftës kundër kontrabandës dhe korrupsionit në dogana.

Gjatë aksionit është arrestuar në flagrancë një 42-vjeçar që transportonte mallra të kontrabanduara nga Maqedonia e Veriut, si dhe një doganier i degës së Bllatës, i cili dyshohet se ka lejuar kalimin e mallrave kundrejt përfitimeve korruptive.

Një tjetër punonjës dogane është vënë nën hetim për shpërdorim detyre.

Njoftimi i policisë:

Dibër/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, operacioni policor i koduar “Skaneri”.

U kap në flagrancë, gjatë transportimit të mallrave që kishte kontrabanduar nga RMV-ja, vihet në pranga 42-vjeçari.

Në pranga dhe 1 doganier i degës Bllatë, pasi dyshohet se nëpërmjet korrupsionit, ka lejuar kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Vihet në hetim 1 tjetër doganier i kësaj dege, i dyshuar për shpërdorim të detyrës.

Sekuestrohen mallrat, automjeti me të cilin transportoheshin, si dhe shuma parash në valuta të ndryshme.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në rrugë operative, për një rast të kontrabandimit nëpërmjet PKK Bllatë, të mallrave të ndryshme, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin “Skaneri”.

Në kuadër të operacionit:
-u vu në pranga shtetasi A. C., 42 vjeç, banues në fshatin Maqellarë, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja të ardhurave”;
-u vu në pranga shtetasi A. L., 51 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë doganier në Degën Doganore Bllatë, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”;
-nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. M., 50 vjeç, banues në Korçë, me detyrë doganier në Degën Doganore Bllatë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Në territorin e njësisë administrative Maqellarë, u ndalua automjeti tip “Opel” që drejtonte 42-vjeçari. Nga kontrolli në automjet u gjetën mallra (kuti me detergjentë dhe materiale për paketim) të dyshuara të kontrabanduara, pasi nuk ishin të pajisura me fatura blerjeje.

Nga hetimet e mëtejshme për këtë rast, dyshohet se 2 doganierët kanë shpërdoruar detyrën, duke favorizuar 42-vjeçarin, për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco