Policia e Shtetit ka ekstraduar nga Dubai shtetasin Amar alias Dritan Shkëmbi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për një sërë veprash penale të rënda.
Policia bën të ditur se Shkëmbi është i akuzuar për atentatin ndaj prokurorit Ndoja, me pasojë vdekjen e shoferit të këtij të fundit, Andi Maloku, dhe plagosjen e Ndojas dhe personit tjetër që ndodhej me ta, Aleksandër Laho.
Shkëmbi është përfshirë në vrasje të mbetura në tentativë dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, ndërsa pritet të përballet me drejtësinë shqiptare pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Njoftimi i policisë:
Ekstradohet nga Dubai, një shtetas i akuzuar nga GjKKO-ja, për krime të rënda kundër disa personave.
Si rezultat i bashkëpunimit konsistent të specialistëve të Drejtorisë së Interpolit, me homologët në Abu Dhabi, u finalizua procedura e ekstradimit në Shqipëri, nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të shtetasit shqiptar Amar Shkëmbi alias Dritan Shkëmbi.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2022, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale:
-“Vrasja e funksionarëve publikë", mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit A. N;
-"Vrasja në rrethana të tjera cilësuese", me pasojë vdekjen e shtetasit A. M., si dhe mbetur në tentativë në dëm të shtetasit A. L. (P. M.);
-"Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit";
-"Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje", e dyshuar e kryer në bashkëpunim me shtetasit P. D., E. S., B. P., J. M. dhe R. R., në dëm të shtetasve A. N. dhe A. L. (P. M.), vepra penale këto të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal;
-“Vjedhja", kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi Amar Shkëmbi alias Dritan Shkëmbi është i implikuar në ngjarjen e ndodhur më datë 01.11.2019, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, ku disa shtetas që lëviznin me automjet, kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin shtetasit A. M., A. N. dhe A. L.. Si pasojë humbi jetën shtetasi A. M., si dhe u plagosën shtetasit A. N. dhe A. L.
© SYRI.net