Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja sipas kreut të Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, ishte e paralajmëruar, por anashkaloi gjuhën kërcënuese të kryeministrit Edi Rama ndaj magjistratëve. Faj sipas Sadushit është i mediave, juristëve të pavarur dhe qytetarëve, ndërsa pranoi faktin se sistemi gjyqësor është në kolaps për shkak të zgjatjes së afateve të gjykimit të çështjeve. Zv. Kryetari i Gjykatës së Tiranës Gerd Hoxha tha justifikimet e policisë rreth dështimit të sigurisë në Gjykatën e Apelit, janë injorancë, ndërsa apeloi për ndërhyrje të menjëhershme për ndërtimin e godinave të reja të drejtësisë. Kreu i GJKKO-së Erion Bani propozoi disa ndryshime dhe masa për të shtuar sigurinë dhe efikasitetin e gjyqësorit, ndërsa gjyqtari Sandër Simoni tha se një nga kërkesat e gjyqtarëve është ndërtimi i pallatit të ri të drejtësisë.
Syri TV
Vrasja e magjistratit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit mblodhi në Këshillin e Lartë të Gjyqësorit këtë të enjte gjyqtarët nga gjithë vendi për të diskutuar rreth problematikave dhe masave të sigurisë. Teksa u konsideruan një ngjarje e paralajmëruar, kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi i anashkaloi gjuhën intimiduese dhe kërcënuese të Edi Ramës ndaj magjistratëve, por tha se faj është i mediave, juristëve të pavarur dhe qytetarëve. Më tej, në fjalimin e tij në mbledhjen me dyer të mbyllura, Sadushi evidentoi faktin se sistemi gjyqësor është në kolaps për shkak të zgjatjes së afateve të gjykimit.
Zv.kryetari i Gjykatës së Tiranës, Gerd Hoxha i ka cilësuar justifikimet e policisë rreth dështimit të sigurisë në Gjykatën e Apelit, si injorancë, ndërsa apeloi për ndërhyrje të menjëhershme për ndërtimin e godinave të reja të drejtësisë.
Gjyqtari i Gjykatës së Lartë Sandër Simoni tha për gazetarët që në mbledhjen me dyer të mbyllura u hodh propozimi për ndërtimin e një pallati të ri për drejtësinë.
Kreu i Gjykatës së Posaçme Erion Bani gjatë fjalës së tij prezantoi një sërë hapash që duhen ndërmarrë për sigurinë e gjykatave dhe palëve në proceset gjyqësore.
Zëvendës kryetarja e Gjykatës së Apelit në Tiranë, objekt ku edhe ndodhi masakra e 6 tetorit, tha se nuk mund të kërkohet drejtësi e sigurt në ndërtesa të pasigurta.
© SYRI.net