'Jam prokuror'- Hiqej si magjistrat, zhvati qytetarët dhe tentoi të mashtronte policët, arrestohet i kërkuari në Sarandë

'Jam prokuror'- Hiqej si magjistrat, zhvati qytetarët dhe tentoi të mashtronte policët, arrestohet i kërkuari në Sarandë

14:37, 09/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një 49-vjeçar është arrestuar ditën e sotme nga Policia e Sarandës pas operacionit të koduar “Deceiver”, teksa hiqej si prokuror duke mashtruar qytetarët për qëllime përfitimi, teksa kishte thyer edhe masën e arrestit shtëpiak, po për mashtrim.

I arrestuari është Alban Muço, nga Tirana. Ai tentoi të mashtronte edhe efektivët, por pa rezultat. Gjithashtu u arrestua edhe një 19-vjeçar, Erlind Çukari, për armëmbajtje pa leje, pasi strehonte të dyshuarin në banesën e tij.

Si provë sekuestrohen arma e zjarrit, municion luftarak, si dhe dokumente të ndryshme që dyshohet se i ka përdorur 49-vjeçari Muço, në këtë veprimtari kriminale.

“Në kuadër të këtij operacioni u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve A. M., 49 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “mashtrimi”, “përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” dhe “largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, si dhe E. Ç., 19 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, bëri me dije policia vendore.

Nga hetimet dyshohet se duke u prezantuar si prokuror dhe duke i premtuar se do të paguheshin nga institucioni i Prokurorisë, Muço ka punësuar disa persona në shërbim të tij, të cilëve i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm ekonomik. Gjithashtu, ka kërkuar favore në institucione dhe subjekte të ndryshme.

“Nga verifikimet e kryera, rezultoi se 49-vjeçari ishte në kërkim pasi kishte thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata, për veprën penale “mashtrimi”, pasi është paraqitur në institucione dhe iu ka marrë para qytetarëve, duke u prezantuar si prokuror”, bëri me dije policia.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco