Vijon në Gjykatën e Posaçme procesi ndaj grupit kriminal të dosjes së bujshme “Plumbi i Artë”, ku këtë të martë ka dhënë dëshminë bashkëpunëtori i drejtësisë Erion Alibej.
Në qendër të dëshmisë ishin vrasja e Emiljano Ramazanit dhe ekzekutimi i Regis Runajt, ku Alibej pranoi se ka qenë organizator dhe urdhërues i tyre, në bashkëpunim të ngushtë me Nuredin Dumanin dhe persona të tjerë nga rrjeti i krimit të organizuar.
Sipas tij, Emiljano Ramazani ishte njeri shumë i afërt me Talo Çelën dhe Mikael Qosen, ndërsa për vrasjen e Runajt, urdhri u dha pasi u mor konfirmimi nga Dumanit. Ai madje ka këshilluar bashkëpunëtorin Xhuljan Hoxha “ta bëjë me thikë që të mos bëhej zhurmë”.
Dëshmia për vrasjen e Emiljano Ramazanit:
Erion Alibej: Nuk kishte një plan konkret. Emiljano Ramazani ka qenë njeri shumë i afërt i Talo Çelës dhe Mikael Qoses. Ka qenë njeri aktiv dhe unë kisha informacione pafund për Emiljano Ramazanin. Informacionet i merrja në rrugë të ndryshme, nga njerëz të ndryshëm. Ardjan Çollaku e Xhuljan Hoxha më jepnin informacion si dhe shumë persona të tjerë. Kam komunikuar me Xhuljan Hoxhën që të shkonte ta ruante tek palestra se rrinte shumë kohë aty. Emiljano Ramazani ka qenë gjithë kohën në vëzhgim deri kur u bë ekzekutimi. Unë dhe Xhuljano komunikonim në aplikacionin Sky ECC. Regis Runaj e njihja si informator dhe njeri shumë të afërt të vëllezërve Çopja, të Mikael Qoses. Njerëz që ishin ne vijimësi të krimeve që i kishin bërë familjarëve të mi. Për ekzekutimin e Regis Runaj , vendimin e kam diskutuar me Nuredinin. I dërgova dhe një mesazh Xhuljan Hoxhës, sepse ai më është vetëofruar për ekzekutimin e Regisit. Urdhrin për ekzekutimin e Regis Runaj e dhashë unë duke marrë dhe mendimin e Nuredin Dumanit, komunikonim bashkë.
Ndërhyn Xhuljano Hoxha: Kush e dha urdhrin ti apo Nuredini?
Alibej: E shpjegova njëherë. Pas vrasjes së Emiljano Ramazanit komunikova me Nuredinin. Xhuljan Hoxha do kryente vrasjen e Regis Runaj. Kur morëm “OK” për ekzekutimin e Regis Runaj, i thash mundohu ta bësh me thikë që mos të bëhej zhurmë. Dhe kështu veproi. Nuk e kam ndihmuar Xhuljan Hoxhën me sende për të kryer vrasjen, ai u dakordësua direkt. Ekzekutimin e Regis Runaj e mora vesh në radio, ose ma komunikoi Xhuljano nuk më kujtohet mirë. Xhuljano Hoxhën e takova dy ditë pas vrasjes, sepse ai atë natë iku me familjen në plazh. Ai u paraqit në komisariat, pasi doli nga aty u takuam. Më shpjegoi pjesën e ekzekutimit se si kishte ndodhur. Më tha që kur më kanë marrë në pyetje ishte aty edhe motra e Regisit. Më tha që motra e Regisit i kishte thënë ke të fala nga Mikaeli. Më tha që shkoi për makinën e tij tek një garazh që kishte babai i tij te varrezat, kishte veshur kominoshe dhe kishte dal nëpër ferra, kanale dhe aty me thotë kishte pritur Regisin se e dinte që do vinte. Kur del Regisi, dal nga ferrat më thotë dhe e masakroj. Më thotë që ishte me njerëz të tjerë dhe se e masakroi, sepse të tjerët ikën më vrap./Raporton nga GJKKO, gazetari i Syri TV – Fatjon Gjinaj
© SYRI.net