FOTO/ Gjykata e Lartë: SPAK nuk ka prova kundër Elton Qynos, gazetari bëri veç punën e tij

FOTO/ Gjykata e Lartë: SPAK nuk ka prova kundër Elton Qynos, gazetari bëri veç punën e tij

17:30, 29/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin për gazetarin Elton Qyno, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për të shfuqizuar masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’, të caktuar më herët nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me kërkesë të SPAK.

Në vendim thuhet qartë se, ndonëse Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Shkallës së Parë kanë referuar një sërë komunikimesh telefonike të përgjimeve mes të dyshuarve si pjesë e një organizate kriminale, në të cilat përmendet edhe emri i gazetarit Qyno, këto prova nuk janë të mjaftueshme për të ngritur dyshime të arsyeshme se ai ka kryer një vepër penale apo ka vepruar në kundërshtim me detyrën e tij si gazetar.

Po ashtu, Gjykata e Lartë vëren se artikujt dhe materialet e publikuara në median ku Qyno ushtronte profesionin e tij nuk janë kontestuar nga prokuroria si të pavërteta apo të fabrikuara. Sipas vendimit, lajmet përmbajnë informacione mbi ngjarje konkrete kriminale, të cilat nuk janë kundërshtuar nga akuzuesit si të rreme, çka përforcon idenë se gazetari ka vepruar në përputhje me misionin e tij informues.

Gjykata thekson se, megjithëse mund të ngrihen dyshime për shkelje të etikës profesionale të gazetarit, kjo nuk është e mjaftueshme për të justifikuar nisjen e një procedimi penal apo caktimin e një mase sigurie ndaj tij.

Vendimi nënvizon se hetimi ndaj Elton Qynos mund të vijojë, por Prokuroria duhet të veprojë me kujdes, duke respektuar të drejtat e tij si gazetar dhe duke shmangur çdo ndërhyrje të pajustifikuar në ushtrimin e profesionit.

Vendimi i Gjykates se Larte per gazetarin Elton Qyno

Gjithashtu, Gjykata thekson rëndësinë e verifikimit të transkriptimeve nga platformat si SkyEÇ, për të siguruar përputhshmërinë me prova të tjera që mund të konfirmojnë apo hedhin poshtë akuzat. Sipas saj, deri më tani nuk ka asnjë provë që tregon se gazetari ka ndërhyrë në përmbajtjen e lajmeve, ka përfituar në mënyrë të paligjshme apo ka fshirë/ndryshuar informacion të publikuar.

Në përfundim, Gjykata e Lartë vendosi të rrëzojë rekursin e Prokurorisë së Posaçme, duke lënë në fuqi vendimin nr. 01 (87-2025-10), datë 24.01.2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Kolegji Penal konkludoi se gjykata e apelit ka zbatuar drejt ligjin penal dhe procedural, nuk ka konstatuar shkelje ligjore dhe vendimi i saj është në përputhje me praktikën gjyqësore të Gjykatës së Lartë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco