Zjarret në territorin e bashkisë Finiq vazhdojnë të përbëjnë një rrezik serioz për banorët dhe pronat e tyre, duke hyrë sot në ditën e shtatë të përhapjes së flakëve.
Ndërsa mendohej se situata ishte vënë nën kontroll mbrëmjen e së dielës, zjarri u riaktivizua në fshatin Leshnicë e Poshtme, me tendencë përhapjeje drejt Leshnicës së Sipërme, ndikuar nga era e fortë që i dha forcë flakëve.
Mbrëmjen e djeshme, në Leshnicën e Poshtme janë djegur disa banesa, ndërsa për arsye sigurie është bërë evakuimi i banorëve. Ndërhyrja ajrore me helikopter ka vijuar edhe në mëngjesin e sotëm, krahas përpjekjeve të pandërprera të shërbimeve zjarrfikëse që ndodhen në terren.
Paralelisht, vëmendja e forcave zjarrfikëse është përqendruar edhe në dy vatra aktive në fshatin Krongj, që paraqesin rrezik për përhapje të mëtejshme.
Në ndihmë të forcave në terren dhe për të frenuar përhapjen e mëtejshme të flakëve, pritet mbërritja e dy helikopterëve Canader nga Greqia, si pjesë e bashkëpunimit rajonal në menaxhimin e emergjencave civile.
© SYRI.net