Konferenca e Ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hitaj, pas operacionit tragjik në Korçë ku mbeti i vrarë një efektiv policie dhe u plagos një tjetër, la më shumë pyetje sesa përgjigje mbi mënyrën se si u organizua aksioni.
Në deklaratat e tyre publike, të dy drejtuesit institucionalë u përqendruan kryesisht te ngushëllimet për familjen e efektivit të vrarë dhe te vlerësimi i figurës së tij, ndërsa munguan shpjegimet e qarta mbi vendimmarrjen operative që çoi në humbjen e jetës së një punonjësi policie.
Ministri Lamallari deklaroi se kishte vizituar efektivin e plagosur dhe se institucionet janë pranë familjarëve në këto momente të vështira. Ndërkohë, drejtori Hitaj njoftoi se ka urdhëruar një hetim administrativ për procedurat e ndjekura gjatë operacionit dhe veçanërisht për arsyet pse nuk ishte kërkuar mbështetja e forcave speciale RENEA.
Megjithatë, deklaratat e tij ngritën një problem edhe më të madh. Hitaj tha se nuk kishte pasur dijeni për operacionin dhe se masat ishin marrë nga drejtoria vendore e Korçës, duke shtuar se nga kjo drejtori nuk ishte kërkuar ndihmë nga RENEA.
Kjo përbën pikërisht pyetjen kryesore që opinioni publik pret të marrë përgjigje: si është e mundur që një operacion kundër një personi të konsideruar me rrezikshmëri të lartë të zhvillohet pa përfshirjen e forcave speciale dhe pa vlerësimin e strukturave qendrore të Policisë së Shtetit?
Përpjekja për të justifikuar operacionin me faktin se shërbimet "Shqiponja" janë të trajnuara dhe se në terren ndodheshin rreth 40 efektivë nuk i përgjigjet thelbit të debatit. Çështja nuk është numri i policëve të angazhuar, por nëse janë përdorur strukturat e duhura për përballimin e një personi të armatosur me kallashnikov dhe të konsideruar me rrezik të lartë.
Vetë drejtori i Policisë pranoi se po hetohet arsyeja pse nuk u kërkua mbështetja e RENEA-s. Nëse kjo pyetje është mjaftueshëm serioze për të qenë objekt hetimi të brendshëm, atëherë është edhe një tregues se ekzistojnë dyshime të forta mbi planifikimin dhe organizimin e operacionit.
Në vend që konferenca të fokusohej te sqarimi i zinxhirit të vendimmarrjes dhe identifikimi i përgjegjësive institucionale, vëmendja u zhvendos te deklaratat ceremoniale dhe te vlerësimi i sakrificës së efektivit të vrarë. Nderimi për policin që humbi jetën është detyrim moral dhe institucional, por ai nuk mund të zëvendësojë llogaridhënien për rrethanat që çuan në këtë tragjedi.
Pyetja që mbetet ende pa përgjigje është e thjeshtë: a ishte ky një operacion i planifikuar në mënyrën e duhur për nivelin e rrezikut që paraqiste objektivi, apo një dështim operacional që tashmë po mbulohet me deklarata ngushëllimi dhe procedura hetimore pas ngjarjes?
© SYRI.net