Goditet një grup që prodhonte dhe trafikonte lëndë narkotike drejt Greqisë nga pikat kufitare në qarkun e Korçës. Dy financuesit e grupit janë arrestuar, ndërsa dy organizatorë të trafikut të drogës janë shpallur në kërkim. Gjatë operacionit policia gjeti bimë narkotike që po thaheshin në një magazinë në fshatin Voskop, e cila dyshohet se do të trafikohej jashtë vendit. Gjatë hetimeve të katër këta shtetas, kanë qenë edhe financues dhe organizatorë të trafikut të drogës në katër raste të tjera të goditura më herët nga policia në Korçë por edhe në Greqi.
Dy persona u arrestuan dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim, si pjesëtarë të një grupi që prodhonte dhe trafikonte lëndë narkotike në Korçë. Sipas një njoftimi për mediat nga Policia e Qarkut Juglindor, në pranga janë vënë shtetasit Leonard Xhemollari dhe Gentian Muço ndërsa në kërkim janë shpallur shtetasit Rexhildo Berberi dhe Abidin Guraj. Gjatë operacionit të zhvilluar këtë fundjavë në Korçë, të katër këta shtetas dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në fshatin Polovisht–Maliq, kanë kultivuar bimë narkotike dhe e kanë magazinuar në fshatin Voskop, Korçë, ku kryhej procesi i tharjes dhe i përpunimit, dhe më pas do të bëhej transportimi i saj drejt shtetit grek. Gjithashtu, sipas policisë, dy nga pjesëtarët e grupit ishin financues të kultivimit dhe dy të tjerë organizatorë të trafikut të lëndëve narkotike.
Këta shtetas, janë vënë në pranga pas hetimit të katër episodeve të mëhershme të kultivimit të kanabisit por edhe të trafikut të heroinës nëpërmjet pikave kufitare në qarkun e Korçës. Në 8 qershor të këtij viti, në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, ku u arrestua në flagrancë shtetasi Valmir Balliu, banues në Pogradec, me një sasi prej 6 kg lëndë narkotike të llojit heroinë, në një automjet të përshtatur për trafikim.
Ndërsa në 25 prill të vitit 2024, në qytetin e Korçës, ku u arrestuan shtetasit Klajdi Shaholli dhe Haxhi Mera, me një sasi prej 12.5 kg Cannabis Sativa, në një automjet të destinuar për trafikim. Më herët gjatë vitit 2023, konkretisht në datën 23 shtator në qytetin e Pogradecit, ku u arrestua në flagrancë shtetasi Klodian Kllomollari, me një sasi prej 52.6 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, në një automjet të përshtatur për trafikim. Ndërsa në nëntor të po atij viti, në shtetin grek u arrestua në flagrancë shtetasi Lorenco Lika, dhe në Korçë shtetasi Stiliano Pasho, me një sasi prej 26 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, të cilën e kishin trafikuar. Pas hetimeve të këtyre katër episodeve, ka rezultuar se grupi financohej dhe drejtohej nga shtetasit Leonardi Xhemollari, Gentian Muço, Abidin Guraj dhe Rexhildo Berberi.
© SYRI.net