Arrestohet një tjetër person për plagosjen e dyfishtë në Sarandë – vijon kërkimi për autorin e dyshuar
Policia e Sarandës ka arrestuar një tjetër person në lidhje me plagosjen e dyfishtë që ndodhi të enjten në qytetin bregdetar. Në pranga ka rënë Artan Murtaj, 43 vjeç, ndërsa në kërkim vijojnë të jenë Erjon Canaj, Klaus Jaçaj dhe Ramadan Canaj, ky i fundit i dyshuar si autori i plagosjes së Gëzim Hajdarajt dhe Ernest Lamës.
Për kapjen e 43-vjeçarit Ramadan Canaj një person me precedentë të theksuar kriminalë prej disa orësh po zhvillohen kontrolle intensive në Sarandë. Rreth 50 forca policore nga Tirana, Vlora dhe Saranda janë angazhuar në ndjekjen e tij, por deri tani operacioni nuk ka dhënë rezultat.
Ramadan Canaj, i njohur edhe me emrin Ramadan Zoto alias “Dane”, akuzohet si autor i tentativës për vrasje me armë zjarri ndaj dy personave, ngjarje e ndodhur të enjten në lagjen nr. 4 të Sarandës. Ai ka qëlluar katër herë në drejtim të Gëzim Hajdarajt (33 vjeç) dhe Ernest Lamës (25 vjeç), të dy banues në Kamëz, duke i lënë të plagosur rëndë. Ngjarja dyshohet të jetë pasojë e një konflikti të mëparshëm mes tyre.
Pavarësisht se Hajdaraj ishte i armatosur, ai nuk arriti të kundërpërgjigjej. Të plagosurit u transportuan në gjendje kritike me helikopter drejt Tiranës për mjekim të specializuar.
Kontrollet e forcave operacionale, të FNSH-së dhe repartit “Shqiponja”, janë zhvilluar që prej të shtunës në fshatin Gjashtë, si dhe në disa banesa përgjatë rrugës “Butrinti” në Sarandë, por pa sukses.
Ramadan Zoto (Canaj) konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë, si në Shqipëri, ashtu edhe në Greqi. Emri i tij është përmendur për herë të parë në vitin 1997, si dëshmitar në një përplasje me armë mes një të riu nga Saranda dhe një efektivi policie në tregun e qytetit. Në prill të vitit 2005, ai vrau me armë zjarri shtetasin shqiptar Pushkin Kuspa në Athinë, ndërsa tre vite më pas u përfshi në një shkëmbim zjarri me policinë greke. Ai rezulton i përfshirë në disa grabitje me armë në Greqi dhe në vitin 2019 u arrestua në Athinë me një automjet të vjedhur, armë dhe lëndë narkotike. Pas daljes nga burgu, ai u rikthye në Sarandë, ku është proceduar më pas për “Prishje të qetësisë publike” dhe “Goditje për shkak të detyrës”.
Policia është në kërkim edhe të dy personave të tjerë për “Përkrahje të autorit të krimit”: vëllait të Ramadanit, Erjon Canaj, 36 vjeç, dhe Klaus Jaçajt, 31 vjeç. Ndërkohë, Artan Murtaj është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim.
© SYRI.net