Subashi në 'gjurmët e Gjushit'? Dëm 1 mln euro me 'Rilindjen Urbane'

Subashi në 'gjurmët e Gjushit'? Dëm 1 mln euro me 'Rilindjen Urbane'

14:45, 25/12/2023
A+ Aa A-

Nga Boldnews.al

Në pranverën e vitit 2015, qeveria e Edi Ramës nisi me nxitim projektin e “Rilindjes Urbane”, që përfshinte rikualifikim sheshesh e rrugësh.

Ishte koha kur vendi po përgatitej për zgjedhjet lokale të qershorit të atij viti, të parat pas marrjes së pushtetit nga “Rilindja” socialiste. Ramës dhe të tijve u duhej të tregonin se po punonin dhe për këtë arsye u hodhën miliardat lumë për fasada.

Një ndër këto projekte ishte “Rehabilitimi i rrugës Muharrem Agolli”, në qendër të qytetit të Fierit.

Për këtë projekt, qeveria shpenzoi rreth 2 milionë euro, duke ia transferuar Bashkisë së Fierit, e cila në atë kohë drejtohej nga Baftjar Zeqaj, aktualisht deputet i Partisë Socialiste.

Projekti nisi zbatimin në Maj të vitit 2015 nga kompanitë fituese të tenderit “Modeste” dhe “Agbes Construction”.

Image

Tre muaj më pas, në gusht të atij viti, Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit, në zbatim të një urdhëri të një viti më parë të Kryetarit të Bashkisë, Baftjar Zeqaj “Për lirimin e hapësirave publike, rrugë dhe trotuare”, prishi 21 njësi tregtare për t’i hapur rrugë projektit të “Rehabilimit të rrugës “Muharrem Agolli”.

Prishja ndodhi në kohën që kryebashkiaku i ri, Armando Subashi, kishte mbi një muaj që ishte ulur në karrigen e numrit Një të Fierit.

Pas gati tetë vjet procesesh gjyqësore, poseduesi i atyre njësive tregtare me konstruksion metalik, ka fituar të drejtën e dëmshpërblimit në një vlerë rreth 1 milionë euro, për shkak të prishjes së paligjshme dhe fitimit të munguar.

Image

Rruga aktualisht është moderne dhe, në këtë fund viti, e mbushur plot me drita Krishtilindjeje. Por ajo është ndërtuar mbi një abuzim me vlerë 1 milionë dollarë, e cila rëndon mbi vendimmarrjen e ish-kryebashkiakut Zeqaj dhe, më së paku, pasivitetin e Armando Subashit.

Për një dëm ekonomik disa herë më të vogël në buxhetin e Shtetit, disa ish-kolegë të Baftjar Zeqaj dhe Armando Subashit në pushtetin lokal, përfshirë Vangjush Dakon e Durrësit, Lefter Allën e Bulqizë, Fatos Tushen e Lushnjes dhe Fran Tucin e Fushë Arrëzit, po provojnë hekurat e qelisë.

Ndërkohë që ish-kryebashkiaku i Fierit gjendet në Parlament dhe pasardhësi i tij po ushtron mandatin e tretë në krye të institucionit vendor.

Historia e “dëmit 1 milionë dollarë” përfshin një përplasje me tre aktorë; Komuniteti Mysliman, Bashkia Fier dhe sipërmarrësi Vllaznim Berisha.

Bashkia dha lejen për tregun

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH) ka ndërtuar një xhami për ushtrimin e besimit në qytetin e Fierit.

Në datën 5 Prill 2013, KMSH ka lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me Bashkinë e qytetit, me qëllim rehabilitimin e tregut të shitjes me pakicë në sipërfaqen e truallit të lirë prej 600 m2 të administruar nga ana e Komunitetit pranë xhamisë së qytetit Fier.

Palët kanë rënë dakort që në këtë sipërfaqe trualli të lirë pranë xhamisë së qytetit të Fierit të ndërtohen njësi tregëtare me konstruksion metalik, sipas projektit të miratuar nga të dyja palët, i cili është pjesë e kësaj akt-marrëveshjeje bashkëpunimi.

Projekti është i nënshkruar dhe vulosur nga Kryetari i Bashkisë Fier, si dhe nga Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Marrëveshja e lidhur midis palëve është miratuar me vendimin nr. 25, datë 16 Prill 2015 të Këshillit të Bashkisë Fier.

Image

Në datën 2 Maj 2013, Komuniteti Mysliman, nënshkroi një kontratë investimi dy-palëshe me Vllazim Berishën.

Sipas kësaj kontrate, Komuniteti Mysliman Shqiptar vinte në dispozicion të këtij projektit për ndërtimin e objekteve truallin para xhamisë së qytetit Fier prej 600 m2, të cilin e posedonte, ndërsa sipërmarrësi merrte përsipër të financonte ndërtimin e njësive tregëtare me konstruksion metalik në këtë truall (objekteve), sipas projektit të miratuar nga Bashkia Fier.

Sipërmarrësi Berisha merrte përsipër t’i kalonte pronësinë e këtyre njësive tregëtare Komunitetit Mysliman Shqiptar pas përdorimit me qira për 20 vjet të këtyre objekteve.

Përgjatë këtyre 20 vjetëve që Vllazim Berisha do t’i përdorte këto objekte që do të ndrtoheshin, do t’i paguante Komunitetit Mysliman Shqiptar një qira mujore prej 3000 USD.

Me qëllim kryerjen e investimit, më datë 7 Maj 2013, midis Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe paditësit Vllaznim Berisha në cilësinë e palës investitore dhe Shoqërisë “Begaj 07” sh.p.k, në cilësinë e palës sipërmarrëse, është lidhur Kontrata e Sipërmarrjes me objekt: “Rehabilitimin dhe ndërtimin e njësive tregtare sipas projektit në truallin me sipërfaqe 600 m2, në posedimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, të ndodhur në adresën: Sheshi Fitorja, Lagjja “Apolonia”, Rruga “Brigada XI”.

Mbi bazën e këtyre marrëveshjeve, në vitin 2013 ka ndërtuar 21 objekte “Njësi ekonomike tregtare” me konstruksion metalik. Vllaznim Berisha dhe Komunitetit Mysliman Shqiptar kanë kryer vetëdeklarim për legalizimin e tyre në datën 19 Korrik 2013 pranë Drejtorisë së ALUIZNI-t Fier. Këto objekte rezultojnë të kenë qënë të përfshira në procesin e legalizimit.

Mbas ndërtimit të këtyre 21 objekteve, sipërmarrësi Berisha ka lidhur kontrata qiraje me persona të tretë për dhënien me qira të këtyre objekteve për ushtrim veprimtarie tregtare.

Prishja e paligjshme

Ndërkohë që njësitë tregtare ishin ndërtuar dhe kishin nisur nga funksionimi, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Fier ka nxjerrë Urdhërin Nr.101, datë 20.08.2015 “Për lirimin e hapësirave publike, rrugë dhe trotuare”, ku ka urdhëruar sipërmarrësin Berisha dhe Komunitetin Mysliman Shqiptar që të prishë objektet me konstruksion metalik, të cilat shërbenin për veprimtari tregtie me pakicë.

Ky urdhër i Inspektoratit Ndërtimor ka dalë në bazë të urdhërit Nr.89/2 prot, datë 23.03.2014 të Bashkisë Fier “Për lirimin e hapësirave publike, rrugëve dhe trotuarëve” dhe në zbatim të projektit të rehabilitimit të rrugës “Muharrem Agolli”.

Image

Bashkia e Fierit nuk ishte dakord me këtë vendim dhe e ankimon pranë Gjykatës së Apelit Administrativ, në Tiranë.

Kjo e fundit, me Vendimin Nr. 4519, datë 15 dhjetor 2016 ka vendosur, “Lënien në fuqi të
Vendimit Nr. 1480,datë 02.11.2015 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë”.

Pra, u vendos përfundimisht se vendimi i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë së Fierit për prishjen e 21 njësive tregtare ishte i paligjshëm.

Bazuar në këtë vendim, palët e prekura nga prishja e paligjshme nisën një tjetër proces gjyqësor, tashmë për të marrë dëmshpërblimin.

Gjykata Administrative e Vlorës, pasi mori mendimin e ekspertëve, në Maj të vitit 2018 vendosi se Bashkia e Fierit duhet t’i paguajë palëve të dëmtuar shumën prej 99.833.184 lekë (afërsisht 1 milionë euro).

Kjo shumë përbënte koston e ndërtimit të njësive tregtare, si edhe fitimin e munguar nga aktiviteti tregtar.

Image

Bashkia e Fierit, duke ndjerë rrezikun e një vendimi të tillë, thirri në ndihmë Avokaturën e Shtetit për të kundërshtuar këtë vendim në Gjykatën e Apelit Administrativ.

Pavarësisht bashkimit të forcave institucionale, tashmë dëmi ishte shkaktuar dhe Bashkia e drejtuar nga Armando Subashi nuk kishte asnjë mundësi reale për të fituar.

Trupa gjykuese e Apelit Administrativ miratoi dëmshpërblimin prej gati 1 milionë euro për palët e dëmtuara, me një vendim të marrë së fundmi, në datë 9 nëntor 2013, dhe të zbardhur vetëm pak ditë më parë.

Bazuar në këtë vendim, që është i formës së prerë, Subashi do të duhet të paguajë 1 milionë euro dëmshpërblim, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm financiar disa herë më të lartë se ish-kolegët e tij të burgosur, Vangjush Dako, Fatos Tushe, e të tjerë.

Image

 

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco