Suedi, kolegët ndezin qirinj në vendin e punës së Liridonës

Suedi, kolegët ndezin qirinj në vendin e punës së Liridonës

08:08, 04/12/2023
A+ Aa A-

Suedi - Deputeti në parlamentin suedez, Magnus Jakobsson, ka vizituar lokalin “Lejas Café” ku punonte e ndjera Liridona Ademaj në Suedi nga ku shprehu ngushëllime duke theksuar se e reja kosovare ishte person i mrekullueshëm. Aty në nderim të saj u ndezën qirinj e u vendosën lule. Me anë të një postimi në “X”, deputeti Jakobsson theksoi se Liridonën do ta kujtojnë me ngrohtësi, pasi tha se ajo ishte një person që vlerësohej nga të gjithë, shkroan portali Noa.

“Sot kemi vizituar memorialin e Liridonës në Lejas Café. Shumë erdhën dhe lanë lule dhe ndezën qirinj. Një moment i denjë përkujtimi. Liridonën do ta kujtojmë me ngrohtësi. Ajo ishte një person i mrekullueshëm që vlerësohej nga të gjithë ata që e njihnin. U prefsh ne paqe”, shkroi Jakobsson.

Vendi i saj i punës përmes një shkrimi në Facebook tha se Lili, siç e kanë quajtur atë, ishte një person shumë i dashur dhe se mirëpriste mysafirët e sigurohej që ata t’i dilnin të kënaqur nga kafeneja.

“Me trishtim të madh dhe zemra të rënduara duhet të njoftojmë sot se një person kaq i mrekullueshëm duhej të largohej shumë herët nga kjo botë. Një grua që vlerësonte gjithmonë klientët e saj dhe dëshironte të sigurohej që ata të kishin gjithmonë përvojën më të mirë me ne. Ajo gjithmonë jepte 100 përqindëshin e saj në vendin e punës dhe ishte vërtetë e hareshme me një buzëqeshje që ua ngjitke shpejt edhe kolegëve edhe klientëve” thuhej në postim.

Trupi i Liridona Ademaj-Murseli do të rivarroset sot në fshatin e saj të lindjes, në Rracaj të Gjakovës.

Familja Ademaj njoftoi:

"Familja Ademaj njofton miq, shokë e dashamir se rivarrimi i vajzës tonë Liridona Ademaj e vrarë me datën 29.11.2023 bëhet me datë 4 dhjetor 2023 në varrezat e fshatit Rracaj në ora 14:00”, thuhet në njoftim. Prokuroria ka bërë thirrje të respektohet e drejta e privatësisë gjatë procedurës së rivarrimit të trupit të viktimës me kërkesë të familjarëve të Liridonës.

“Gjithashtu, iu bëjmë apel që të tregoni konsideratë karshi familjarëve të viktimës, lidhur me shkrimet e publikuara ndaj kësaj çështjeje, kjo pasi ka qenë kërkesë e vetë familjarëve të viktimës tek organet e hetuesisë, meqenëse në këto çaste janë duke përjetuar momente të vështira dhe kërkojnë të respektohet e drejta e privatësisë edhe gjatë procedurës së rivarrimit të trupit të viktimës”, thuhet në njoftim.

Liridona u vra më 29 nëntor në fshatin Bërnicë në Prishtinë.
 

 

 

Image

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco