'Daja, hajde shpejt'/ Vëllai i Etleva Bodit kërkon ndihmë për të sjellë trupin e saj në Shqipëri

'Daja, hajde shpejt'/ Vëllai i Etleva Bodit kërkon ndihmë për të sjellë trupin e saj në Shqipëri

10:53, 30/10/2023
A+ Aa A-

Mes hidhërimit për ndarjen nga jeta të motrës së tij Etleva Bodi, Erjon Kanolja u kërkon ndihmë shqiptarëve për të sjellë në Shqipëri trupin e pajetë të 31-vjeçares.

Ajo ndërroi jetë mbrëmjen djeshme, njofton vëllai i saj, pasi u bë viktimë e bashkëshortit për shkaqe xhelozie.

Vëllai i viktimës tregon se është lajmëruar nga nipi vetëm 13 vjeç për ngjarjen e rëndë, i cili e ka telefonuar “Daja, hajde shpejt”.

Përmes një ‘Gofoundme’, vëllai i Etlevës kërkon ndihmë monetare jo vetëm për të sjellë trupin e së motrës, por edhe për rehabilitimin e fëmijëve të mitur, të cilët janë në duart e drejtësisë italiane pasi i ati është në burg.

“Quhem Erjon Kanolja. Ngjarja e rëndë që ndodhi mbrëmjen e 27 tetorit në Savona të Italisë, i mori jetën motrës sime të pafajshme Etleva Bodi, e cila u bë viktimë e bashkëshortit të saj dhe e episodeve të tij të sëmura të xhelozisë. Lajmërohem atë mbrëmje nga nipi im, i cili është veçse një fëmijë 13 vjeç: “Daja, hajde shpejt”-, ishte thirrja e tij. Forcat policore dhe mjekësore dhanë maksimumin e tyre për të shpëtuar jetën e motrës sime, por ajo e pati të pamundur të mbijetonte për shkak të traumës që pësoi dhe ndërroi jetë mbrëmjen e 29 tetorit ora 21:00. Motra ime la pas 4 fëmijë, ku me i madhi prej tyre është 13 vjeç. Të 4-tërt këta femije tani janë në dorë të drejtesisë italiane dhe fatit, pasi e ema e tyre ndërroi jetë dhe i ati i tyre gjendet nën arrest.

Ne u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve dhe personave të ndjeshëm ndaj kësaj fatkeqësie që na ka ndodhur të na ndihmojnë sadopak të sjellim trupin e pajetë të motrës sonë në Shqipëri dhe gjithashtu ndihmë sadopak për rehabilitimin që do t'u bëhet 4 fëmijëve të saj të mitur që ajo la pas. Një ngjarje e tillë na ka lënë të shokuar dhe të mpirë, të paaftë për të pranuar realitetin. Një ngjarje e tille si kjo na ka plagosur thellë në shpirt dhe do mbetet traumë e përjetshme si për ne, ashtu dhe për fëmijët që kanë qenë prezent në skene dhe në momentin e tentativës së vrasjes. Ju lutemi na ndihmoni të sjellim trupin e saj te pajetë dhe t’i rehabilitojme këta 4 fëmijë jetimë!”, shkruhet në lajmërimin e ndjerë të vëllait të viktimës.

31-vjeçarja, nënë e katër fëmijëve të mitur, nuk mundi të mbijetojë pavarësisht ndihmës mjekësore të mjekëve të spitalit San Paolo në Savona. Ngjarja e rëndë ndodhi pak para mesnatës të së premtes, ku 41-vjeçari shqiptar, Selami Bodi, sipas mediave italiane, njoftoi urgjencën pasi gruaja e tij nuk merrte dot frymë. Por pas ndihmës së parë të dhënë nga urgjenca, rezultoi se Etleva Bodi ishte sulmuar nga bashkëshorti i saj, i cili më pas u arrestua nga policia italiane dhe tashmë akuzohet për vrasje. Shkak u bë një debat mes tyre për motive xhelozie.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco