SYRI TV/ Plagosja e 17-vjeçarit afgan, shoqërohen në policinë e Shkodrës 8 persona

16:04, 15/10/2023
A+ Aa A-

Policia e Shkodrës ka shoqëruar 8 persona lidhur me plagosjen me armë zjarri të një shtetasi afgan të moshës 17-vjeçare. Dyshohet se shkak i përplasjes kanë qenë mosmarrëveshjet lidhur me pagesën për transportin e tyre drejt Malit të Zi. 3 bashkombasit e adoleshentit kanë pritur për orë të tëra të japin dëshmi për shkak se nuk dinin anglisht, teksa kanë rrëfyer me mbërritjen e përkthyesit se një grup shqiptarësh po I transportonte ilegalisht drejt vendit fqinj.

SYRI TV

Detaje të reja janë zbardhur nga plagosja e një 17 vjeçari nga Afganistani të shtunën në Shkodër. Burime bëjnë me dije se janë shoqëruar 8 persona në policinë e Shkodrës, pas plagosjes së ndodhur në Malësinë e Madhe, por ende për asnjë prej tyre nuk ka komunikim lidhur me autorësinë apo jo. Adoleshenti mësohet se ndodhej në shoqërinë e 3 bashkëkombasve të tij dhe ishin drejtuar kufirit të gjelbër me Malin e Zi. Përplasja ka ndodhur në afërsi të shinave të trenit në fshatin Fermë ku për pasojë mbeti i plagosur i riu me inicialet A. Z, i cili ka marrë një plumb në këmbë. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 3 shtetasit e tjerë u shoqëruan në polici, ku u morën në pyetje lidhur me këtë ngjarje. Marrja e dëshmisë së tyre ka vonuar pasi nuk ishin folës të mirë të gjuhës angleze, teksa policisë i është dashur gjetja e një perkthyesi. “Jemi nisur drejt Malit të Zi dhe më pas me destinacion një nga vendet e Bashkimit Europian. Duke qënë se nuk dinim rrugën, udhëtimi është marrë përsipër nga një grup shqiptarësh”, kanë deklaruar ato para bluve të Shkodrës. Paraprakisht dyshohet se çështja e pagesës së transportit ka qenë shkak për konfliktin që ka sjellë edhe të shtënat me armë. Ndihma përkundrejt pagesës në kalimin e paligjshëm të kufijve përmes territorit shqiptar, është një problematikë e hasur shpesh vitet e fundit, ku grupet kriminale përfitojnë miliona lekë nga refugjatët.

  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco