VIDEO+EMRI/ Zbulohet kush është ‘tironsi’ i kapur me arsenal armësh në Kapshticë

VIDEO+EMRI/ Zbulohet kush është ‘tironsi’ i kapur me arsenal armësh në Kapshticë

18:36, 06/10/2023
A+ Aa A-

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me arsenalin e gjetur ditën e sotme në Kapshticë.

Sipas burimeve nga policia bëhet me dije se i arrestuari për trafikimin e armëve është Xhimi Hoxha, banues në Tiranë, të cilit i janë gjetur në sedijen e pasme të mjetit 3 armë zjarri kallashnikov, 1 pistoletë TT dhe një sasi fishekësh.

I arrestuari ka qenë në makinë i shoqëruar me një tjetër person me inicialet M.V, i cili është shoqëruar dhe është duke u pyetur nga forcat e Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë së Korçës.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se i arrestuari po përpiqej të kalonte kufirin shqiptar drejt atij grek.

NJOFTIMI I POLICISË SË KORÇËS:

Policia Kufitare parandalon dhe godet një rast të tentativës për të trafikuar armë zjarri dhe municion, nga Shqipëria në drejtim të Greqisë.

Vihen në pranga drejtuesi i automjetit, me të cilin do të trafikoheshin armët e zjarrit dhe municioni, si dhe një bashkëpunëtor i dyshuar i tij.

Sekuestrohen 3 armë zjarri automatik, 1 pistoletë, krehra të armëve të zjarrit dhe një sasi municioni luftarak.

Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve me përzgjedhje, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme dhe krimeve të tjera kufitare, nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë u parandalua dhe u godit një rast i tentativës për të trafikuar armë zjarri, nga Shqipëria drejt Greqisë. Si rezultat i bashkëpunimit me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë, u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-Xh. H., 41 vjeç (i dënuar më parë për veprën penale ‘Moskallëzimi i krimit’) dhe M. V., 40 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Në bazë të analizës së riskut shërbimet e Policisë Kufitare përzgjodhën për kontroll në vijë të dytë automjetin tip ‘Benz’ me drejtues shtetasin Xh. H. dhe pasagjer 40-vjeçarin. Gjatë kontrollit me skaner u krijuan dyshime se në sediljen e prapme të automjetit ishin fshehur sende të kundërligjshme dhe për këtë arsye efektivët e policisë ushtruan kontroll më të detajuar ku gjetën 3 armë zjarri automatik, 1 pistoletë, 5 krehra me fishekë dhe një sasi municioni luftarak, të cilat së bashku me automjetin u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco