Tragjedia në Venecia, shqiptari që ishte dëshmitar rrëfen tmerrin: Kur autobusi ra, askush s'më ndihmoi

Tragjedia në Venecia, shqiptari që ishte dëshmitar rrëfen tmerrin: Kur autobusi ra, askush s'më ndihmoi

08:26, 05/10/2023
A+ Aa A-

Një shqiptar ka qenë dëshmitar i aksidentit tragjik të ndodhur të martën e 3 tetorit 2023 në Mestre të Venecias në Itali, ku një autobus ra nga mbikalimi dhe përfundoi mbi linjën hekurudhore në Mestre duke shkaktuar 21 të vdekur.

Bujar Bucaj i cili është pronar i një lokali në atë zonë ka parë të gjithë skenën nga vendi ku punonte dhe menjëherë ka shkuar për të dhënë ndihmën e parë

Në një intervistë për mediat italiane tregon momentet e tmerrit.

“Po punoja në restorantin tim që është përballë hekururdhës. Nga vetrata e lokalit pashë autobusin që u rrëzua. Kur pashë tymin e madh vrapova. Kalova shinat e hekururdhës dhe shkova atje. Pashë autobusin e rrëzuar dhe kishte njerëz që bërtisnin", tha ai.

Bujari tregon se u përpoq të ndihmonte por nuk pati mbështetje nga persona të tjerë që shihnin dhe bënin foto ose telefononin urgjencën duke pritur ardhjen e tyre.

"Meqë vij nga një vend ku kam jetuar luftën e di çdo të thotë kur njerëzi janë në vështirësi. Vrapova vetëm. Kishte makina të tjera, ndalonin por askush nuk vinte të më ndihmonte. Unë kërkoja ndihmë", tha Bujari.

Ai tregon se kishte arritur të nxirrte një vajzë nga autobusi.

"Ishte një vajzë të cilën arrita ta largoja. Më pas dolën 3 persona nga autobusi por nuk di si ia bënë. Ishte një vajzë 16 vjeçe, një djalë 20 vjeçar dhe një 40 vjeçar. Këto kanë arritur të dalin para se të vinte policia”, tregon ai.

Thotë se ka arritur të shpëtojë dhe vëllain e vajzës. Tregon se ka kërkuar ndihmë por askush nuk i është përgjigjur.

"Vëlla e motër. Vajza ishte jo më shumë se 3 vjeçe ndërsa vëllai ishte gati 10 vjeç. Kërkonin të ëmën. Unë më pas u panikosa pasi isha i vetëm në mes të atij tymi. Më pas ndodhi dhe zjarri. Kërkova ndihmë. Lart kishte njerëz që filmonin", shprehet ai. 

Bujari tregon se 12 minuta pas aksidentit ka ardhur një patrullë policie dhe më pas erdhën dhe zjarrfikësit, ndërsa dy vegjlit e shpëtuar nga ai janë shtruar në spital.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco